Ukraina është pranë kolapsit ekonomik nëse aleatët perëndimorë nuk e ndihmojnë financiarisht, tha sot ministri ukrainas i Financave, Serhiy Marchenko.
Kriza ekonomike do të ishte “shumë, shumë traumatike, jo vetëm për Ukrainën, por edhe për të gjithë Evropën”, tha Marchenko për politico.
Ndihma e Bashkimit Evropian për ukrainasit mbaron në muajin dhjetor. Komisioni Evropian ka premtuar një paketë ndihmëse prej 50 miliardë eurove gjatë katër viteve të ardhshme, por Hungaria dhe Sllovakia kanë kundërshtuar financimin e mëtejshëm të Kievit, duke përmendur shqetësimet për korrupsion.
Problemi për Kievin ndërlikohet më tej nga rezistenca e Kongresit Amerikan për të miratuar ndihmën shtesë për Ukrainën, siç propozohet nga administrata e presidentit Joe Biden.
Marchenko paralajmëroi se problemet e Ukrainës do të përhapen shpejt në pjesën tjetër të Evropës, përmes kanaleve të migrimit dhe inflacionit, dhe veçanërisht në çmimet e ushqimeve dhe energjisë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që Bruto Produkti i Brendshëm i Ukrainës të rritet me dy për qind këtë vit, pas një rënie prej 30 për qind vitin e kaluar, por Ukraina ende mbështetet te aleatët për të mbuluar kostot e buxhetit, gjysma e të cilave, 42 miliardë dollarë, i referohet financimit të luftës.
Bashkimi Evropian po përballet me komplikime lidhur me planin për të përdorur miliarda dollarët e aseteve të ngrira ruse për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës. Udhëheqësit e saj e kanë mbështetur atë, por disa qeveri evropiane janë të shqetësuara pasi do të rrezikoheshin tregjet financiare.
Nga afërsisht 43 miliardë dollarë që i mungojnë Ukrainës, Britania e Madhe, Japonia, FMN-ja dhe disa vende të tjera duhet të mbulojnë rreth 10 miliardë, Kievi mund të sigurojë katër miliardë, që do të thotë se në vitin e ardhshëm do të ketë një deficit prej 29 miliardë dollarësh në arkën e shtetit.
Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja janë donatorët më të mëdhenj të Ukrainës që nga viti 2022, por kundërshtimi për ndihmën e mëtejshme në disa kryeqytete evropiane dhe në Kongresin e SHBA-së po shkakton shqetësime tek ukrainasit.
Kievi përballet me një rrezik real të pakësimit të mbështetjes nga Amerika, e cila po hyn në një vit zgjedhor dhe për shkak të mosmarrëveshjeve në Kongres, Uashingtoni ka pezulluar përkohësisht ndihmën e mëtejshme për Kievin. /Telegrafi/