Telegrafi

​Ministri Mehaj takon komandantin Kajar, kërkon prezencë më të madhe të KFOR-it në veri

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se me qëllim të koordinimit të ngushtë me KFOR-in, pas agresionit ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën, në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor, Ferenc Kajar.

Mehaj ka shkruar në Facebook se ka kërkuar prezencë më të madhe të trupave të KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës dhe përforcim më të madh të kontingjentit të saj.

“Kërkova prezencë më të madhe të trupave të KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës dhe përforcim më të madh të kontingjentit të saj. Gjithashtu me Gjeneral Kajar u pajtuam që të rritet koordinimi në mes institucioneve të sigurisë së vendit dhe KFOR-it, si dhe që të shtohen kapacitetet dhe vigjilenca në gjithë kufirin e vendit. Tendencat destabilizuese të Rusisë dhe satelitëve të saj ndaj vendit tonë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor tashmë janë të qarta dhe atyre do t’i kundërvihemi së bashku me aleatët tanë”, njofton Mehaj. /Telegrafi/