Site icon Telegrafi

Ministri i Jashtëm ukrainas, Kuleba: Evakuohet fabrika kimike në Krime, Rusia po përgatit një sulm të rremë

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitro Kuleba njoftoi se një fabrikë kimike në Krime, gadishulli ukrainas i aneksuar nga Rusia, ishte evakuuar.

Diplomati ukrainas ka shprehur shqetësimin me evakuimin e punëtorëve të një fabrike pasi që frikësohet se Rusia po përgatit një justifikim tjetër për agresion.

“Raporte shqetësuese nga Krimea. Ndërrimi i plotë i natës i fabrikës kimike të Titanit në Armiansk është evakuuar. Kjo mund të jetë një përgatitje për një tjetër provokim të organizuar nga Rusia. Moska duket se nuk ka kufi në përpjekjen për të falsifikuar një justifikim për agresion të mëtejshëm”, shkroi Kuleba në Twitter.

Ndërkohë, në një takim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba tha se lufta në Ukrainë në tërësi do të shënonte fundin e rendit botëror që ka ekzistuar deri më tani dhe do ta çonte të gjithë botën në pasiguri.

Lexo po ashtu Kreu i diplomacisë ukrainase në OKB, Kuleba: Nëse nuk ndalet tani Rusia, shtete të tjera do të frymëzohen prej saj dhe do të sulmojnë fqinjët

“Fillimi i një lufte në shkallë të gjerë në Ukrainë do të jetë fundi i rendit botëror siç e njohim ne. Nëse Rusia nuk merr një përgjigje të mprehtë, të shpejtë dhe vendimtare tani, kjo do të thotë kolaps i plotë i sistemit ndërkombëtar të sigurisë dhe institucionet ndërkombëtare përgjegjëse për sigurinë globale”, tha Kuleba.

Ndryshe, Putin tashmë ka urdhëruar trupat ushtarake të dislokohen në dy rajonet ukrainase, Luhanski dhe Donetsk, të cilat ditë më parë shpallen pavarësinë dhe u njohën nga Rusia. /Telegrafi/

Exit mobile version