Jurgen Klopp është pjesërisht fajtor për kaosin që përfshiu finalen e Ligës së Kampionëve të së shtunës – sipas ministrit të Brendshëm të Francës – pasi inkurajoi tifozët e Liverpoolit që të dynden në Paris pavarësisht nëse kishin bileta apo jo.
Skenat kaotike jashtë “Stade de France” panë tifozët me bileta që duhej të prisnin në radhë të mëdha, përpara se policia franceze të hidhte gaz lotsjellës ndaj shumë tifozëve paqësorë – përfshirë gra dhe fëmijë – që prisnin jashtë portave.
Policia franceze megjithatë fajësoi tifozët e Liverpoolit për ndërprerjen përpara se Gerald Darmanin të pretendonte në mënyrë sensacionale deri në 70 për qind të biletave të shitura ishin false dhe se midis 30,000 dhe 40,000 tifozë anglezë mbanin falsifikime.
Para finales – e para për Liverpoolin në Ligën e Kampionëve që kur mposhtën Tottenhamin në Madrid tre vjet më parë – Klopp kishte thënë: “Unë nuk dua të ftoj njerëz në Paris, por këtë herë është mjaft e madhe”.
Por, duke folur në një konferencë për shtyp në Ministrinë Franceze të Sportit, Darmanin hodhi një pjesë të fajit në llogarinë e Kloppit, duke thënë: “Vetëm në futboll me disa klube angleze ka këto probleme”.
Prania e kaq shumë tifozëve britanikë pa bileta tashmë ka ndodhur, veçanërisht në vitin 2019 në Madrid. Dhe krijoi lloje të ngjashme vështirësish. Kishte të njëjtat çështje në Ëembley vitin e kaluar (në finalen e Euro 2020).
“Sjellja, çorganizimi dhe tregu i madh i biletave false. Dhe ju kujtoj se trajneri i Liverpoolit pak ditë më parë bëri thirrje që tifozët të vijnë në Francë edhe pa bileta”.
“Dhe ne u gjendëm me dhjetëra e mijëra fansa britanikë, një pjesë e të cilëve ka respektuar plotësisht dhe ka blerë bileta ose ka shkuar në zonën e dedikuar të tifozëve”.
“Ju kujtoj se në zonën e tifozëve ishin pa problem dhjetëra mijëra tifozë. Ata kanë respektuar rregullat. Por, kishte një pjesë më të vogël por aktive që u përplas me sistemin tonë të sigurisë”, ka bërë të ditur më tej Darmanin.
Redsave iu ndanë më pak se 20,000 bileta në “Stade de France” me kapacitet prej 81,000 ulësesh për finalen, por bisedimet e krizës duhej të mbaheshin midis qeverisë së Emmanuel Macron, UEFA-s, kryetarit të bashkisë së Parisit dhe federatës franceze për të përcaktuar se çfarë ndodhi. /Telegrafi/