Site icon Telegrafi

Ministri britanik i Mbrojtjes: Zhgënjyese që Netanyahu nuk beson në zgjidhjen me dy shtete

Ministri britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps, e ka përshkruar si “zhgënjyes” kundërshtimin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për krijimin e një shteti palestinez.

“Mendoj se është zhgënjyese të dëgjosh Benjamin Netanyahu-n të thotë se nuk beson në një zgjidhje me dy shtete. Këtë ai e ka thënë gjatë gjithë karrierës së tij politike. Por, unë nuk mendoj se do të arrijmë në një zgjidhje nëse nuk kemi zgjidhje me dy shtete”, tha Shapps.

Duke u shprehur se britanikët nuk ndërhyjnë në proceset demokratike të vendeve tjera, Shapps vuri në dukje ndarjet brenda udhëheqjes politike izraelite, si dhe marrëdhëniet e ngushta midis Britanisë së Madhe dhe Izraelit.

Këto komente erdhën pasi u duk se Netanyahu u tërhoq nga raporti në bazë të së cilit nuk e ka përjashtuar krijimin e një shteti palestinez.

Gjatë fundjavës, zëdhënësi i Netanyahut pretendoi se në një telefonatë me presidentin amerikan, Joe Biden, udhëheqësi izraelit ka theksuar se nevojat e sigurisë së vendit të tij nuk po lënë hapësirë për një shtet sovran palestinez.

Megjithatë, zgjidhja me dy shtete dhe krijimi i një shteti palestinez me më pak se sovranitet të plotë, nuk është përjashtuar nga presidenti amerikan Joe Biden. /Telegrafi/

Exit mobile version