Site icon Telegrafi

Ministri Beqaj: Bizneset mund të përfitojnë deri në gjashtë milionë euro nga Fondi i Inovacionit

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe GIZ-i gjerman, kanë lansuar të hënën edicionin e dytë të Fondit të Inovacionit, pjesë e Projektit CETEP, i cili zbatohet nga Innovation Centre Kosovo (ICK).

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka deklaruar se nëpërmjet këtij Fondi, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mund përfitojnë deri në 50 mijë euro.

“Në total do të jenë mbi gjashtë milionë euro, për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për start-up, për trajnime, pra gjithmonë për të rritur konkurentshmërinë tonë në tregun vendor dhe ndërkombëtar. Ne përherë të parë kemi bërë një test të bashkimit të fondit. Kemi bashkuar më GIZ-in gjerman 1 me 1. Synimi ynë ka qenë që fondet që i kemi publike të dyfishojmë”, tha ministri Beqaj në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë”, në RTK.

Lexo po ashtu Lansohet edicioni i dytë i Fondit të Inovacionit

Sipas tij këto fonde do të ndahen në bazë të standardeve të GIZ-it.

“Afati do të jetë tre javë për aplikim, gjithçka do të jetë online. Këtë vit nuk do të ketë kufizime”, tha ai.

Beqaj bëri me dije se ky nuk do të jetë vetëm ky projekt që do të jetë së bashku me GIZ-in, por edhe projekte të tjera.

“Ne kemi fondin edhe për start-up. Ne do të mbështesim edhe tri sfera që synojmë t’i mbështesim këtë vit, ICT, Agroteknika dhe prodhimi. Këta janë bërë mbi bazën e vlerësimit të vitit të kaluar. Me këtë ne synojmë të rrisim prezentin ndërkombëtare”, tha Beqaj.

Ndryshe, Fondi i Inovacionit, është bashkëfinancim i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarërsisë dhe GIZ-it, nëpërmjet Projektit CETEP dhe zbatohet nga ICK. /RTK/Telegrafi/

Exit mobile version