Ministrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë reaguar pas sulmit me vezë që i është bërë zëvendëskryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.
Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike Agim Veliu, ka thënë se sulmi sotëm ndaj zëvendëskryeministrit Hoti është një akt qyqar, me qëllim pengimi i proceseve pozitive në vend.
“Aktet e tilla janë të papranueshme dhe të patolerueshme. Shprehja e mospajtimit dhe pakënaqësisë për çfarëdo procesi, duhet të bëhet përmes mjeteve demokratike dhe rrugës institucionale”, ka shkruar Veliu në profilin e tij zyrtar në Facebook, transmeton Telegrafi.
Sulmin ndaj Hotit e ka dënuar edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami.
Ajo ka thënë se sulmuesit duhet të dënohen dhe partneriteti me SHBA-në do të thellohet.
“E dënoj sulmin ndaj Zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti. Drejtësia duhet të veprojë menjëherë që sulmuesit të përgjigjen para drejtësisë dhe të mos lejohet degradimi i hapësirës publike siç ka ndodhur në të kaluarën. Raporti Kosovë-SHBA është i shenjtë dhe asnjë sulm nuk mund ta luhatë partneritetin me amerikanët. Prokuroria dhe Policia duhet të marrin masa dhe të veprojnë edhe ndaj atyre që po paralajmërojnë dhunë ndaj zyrtarëve të Qeverisë”, ka pohuar Bajrami.
Ndërsa, ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka thënë se sulmi ndaj Hotit është i trishtë.
“Shteti, era shtet si akt e si koncept i tremb. Pa pushtet e me gjithë reformat që pritet të vijnë rend bëhen edhe më agresiv. Sulmi ndaj Zv.Kryeministrit Hoti është i trishtë – si mjet, si formë, si arsye. Argumentet s’mund të zëvendësohen me sharje e dhunë – me terma ‘tradhtarë e shpihunë’. Është viti 2020. Përpjekjet agresive për të ndaluar kthimin e Republikës në rrugë të mbarë e për të na izoluar e dërguar të gjithëve në theqafje – duhen të dënohen nga secili me minimalisht dinjitet”, ka potencuar Abdixhiku.
Ndryshe, zëvendskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas sulmit ka thënë se ata që kanë porositur një veprim të tillë e duan izolimin e Kosovës.
“Shtëpia pa miq nuk mbahet. Qeveria e re, me LDK-në brenda si partner kyç, nuk bënë kompromis me miqësinë me SHBA-në. Sinjalet qarta nga Qeveria e re se krimi ekonomik, zhvatja dhe kapja e shtetit po marrin fund i kanë trishtuar ata që na kanë mbajtur të izoluar”, ka deklaruar Hoti. /Telegrafi/