Sergino Dest do të kthehet te Barcelona në fund të sezonit, ndërsa Milani po përgatitet të shesë të paktën tre lojtarë, përfshirë Ante Rebic, Fode Ballo-Toure dhe Yacine Adli.
Sipas La Gazzetta dello Sport, kuqezinjtë duhet të shkurtojnë faturën e pagave për të pasur më shumë burime financiare në afatin kalimtar të verës.
Rossonerët presin të kursejnë 15 milionë euro vetëm nga pagat e lojtarëve që largohen në fund të sezonit.
Së pari dhe më kryesorja, reprezentuesi i ShBA-ve, Dest do të kthehet te Barcelona pasi Milani nuk është i gatshëm ta bëjë lëvizjen e tij të përhershme për 20 milionë euro. 22-vjeçari ka nisur vetëm dy ndeshje këtë sezon.
Milan, una panchina in partenza: 15 milioni di risparmi da investire #calciomercato https://t.co/3uBNDsum5s
— La Gazzetta dello Sport (@Gazzetta_it) February 22, 2023
Aster Vranckx gjithashtu po lufton me kohën e lojës dhe transferimi i tij i përhershëm prej 12 milionë euro nga Wolfsburgu ‘nuk është prioritet’ për gjigantët e Serie A.
Milani shpreson të rrisë buxhetin e tyre të transferimeve duke shitur edhe disa lojtarë. Ante Rebic nuk i ka përmbushur pritjet këtë sezon me vetëm tre gola në 20 paraqitje.
Ballo-Toure gjithashtu pritet të largohet pasi ka luajtur vetëm 327 minuta në shtatë ndeshje këtë sezon, ndërsa Adli mund të huazohet ose në një transferim të përhershëm duke u paraqitur vetëm për 114 minuta këtë sezon.
E ardhmja e Zlatan Ibrahimovic është gjithashtu shumë e pasigurt pasi suedezi, 41 vjeç, nuk ka luajtur ende këtë sezon pas rikuperimit nga një dëmtim në gju.
Kontrata e tij skadon në fund të sezonit dhe e njëjta gjë vlen për Ciprian Tatarusanu dhe Antonio Mirante të cilët do të largohen nga klubi, duke i lënë vend Marco Sportiello nga Atalanta. /Telegrafi/