Telegrafi

Milani takohet me përfaqësuesit e Ziyech, duan transferimin e tij nga Chelsea

Milani thuhet se është takuar me Sebastien Ledure, një nga përfaqësuesit e anësorit të Chelseat, Hakim Ziyech, i cili dëshiron të largohet nga klubi në janar.

Marokeni është një objektiv prej kohësh i Milanit pasi kuqezinjtë menduan të nënshkruanin me 29-vjeçarin gjatë afatit kalimtar të verës.

Mediat në Itali shkruajnë se përfaqësuesi i anësorit të Chelseat, Sebastien Ledure, është takuar sot me drejtorët e Milanit.

Kuqezinjtë janë të zënë me përpjekjet për të zgjatur kontratën e Rafael Leaos, por gjithashtu po eksplorojnë mundësitë e mundshme për afatin kalimtar të janarit.

Ledure është në marrëdhënie të mira me pronarët e Chelseat, pasi ai është njeriu që bëri të mundur rikthimin e Romelu Lukakut në Inter verën e kaluar.

Calciomercato.com dhe Sportmediaset pretendojnë se Ziyech dëshiron të largohet nga “Stamford Bridge” në janar, kështu që gjigantët e Serie A mund të kishin diskutuar statusin e tij në Chelsea gjatë takimit të sotëm./Telegrafi/