Mediat franceze raportojnë se Milani do të përpiqet ta transferojë Riyad Mahrezin, pasi konfirmoi kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Me fitoren ndaj Lazios, pos që mbetën në garë të ngushtë për titull, Rossonerët siguruan matematikisht kualifikimin për garën më të madhe evropiane për klube.
Kjo nënkupton se klubi do të bëjë investime në afatin kalimtar veror, derisa vazhdojnë negociatat për shitjen e një pjese të aksioneve ose të gjithave te fondi nga Bahrejni, Investcorp.
Sipas Footmercato, Milani e ka shënjestruar futbollistin ofensiv të Manchester Cityt për ta përforcuar fazën e sulmit.
31-vjeçari mund të luajë në pozita të ndryshme përpara, sidomos si anësor i djathtë, pozitë ku kuqezinjtë kanë pak alternativa.
Algjeriani ka qenë në formë të mirë për Cityn në këtë edicion duke shënuar 23 gola dhe duke dhuruar tetë asistime në 43 ndeshje zyrtare në të gjitha garat. Kontrata e tij skadon në qershor të vitit 2023.
Real Madridi, Barcelona, Paris Saint-Germaini dhe Juventusi janë konkurrentët e Milanit për nënshkrimin e tij. /Telegrafi/