Telegrafi

Milani fiton me vështirësi përballë Fiorentinës në udhëtim

Milan ka shënuar fitore me rezultat të ngushtë 2-1 në udhëtim ndaj Fiorentinës në kuadër të xhiros së 30-të në Serie A.

‘Rossonerët’ treguan forcën e tyre në pjesën e parë duke rrezikuar seriozisht në dy raste portën e Fiorentinës.

Samuel Chukwueze (17’) u shkëput mirë në ajër por goditjen e tij me kokë e ndali me shumë mund Terraciano.

Olivier Giroud pati një tjetër rast të mirë shënimi në minutën e 44-të por gjuajtja e tij përfundoi lart mbi traversë.

Pjesa e dytë nisi me një intensitet shumë të lartë, ku edhe u shënuan tre gola në harkun e gjashtë minutave.

Ruben Loftus Cheek (47’) shënoi për t’i dhënë epërsinë Milanit prej 1-0, ndërsa vetëm tre minuta më vonë Alfred Duncan (50’) shënoi për t’i barazuar shifrat në 1-1.

Nuk vonoi shumë dhe Rafael Leao (53’) pas një aksioni të bukur individual shënoi për 2-1 duke e bërë të pamundur për portierin vendas ta ndal atë goditje.

Deri në fund të takimit nuk pati më raste të mira shënimi për ndonjërën skuadër dhe Milani mori tri pikë të vlefshme në udhëtim.

Milan vazhdon në pozitën e dytë në tabelë me 65 pikë të grumbulluara, 11 më pak se lideri Inter që ka 76 sosh me një ndeshje më pak./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore