Telegrafi

Milan dhe Real Madrid do të takohen për të diskutuar të ardhmen e Brahim Diaz

Brahim Diaz po kalon vitin e tij të tretë te Milani, por vetëm si i huazuar.

Mesfushori spanjoll është huazuar te kuqezinjtë nga Real Madridi, por Milani nuk e ka të drejtën e blerjes në fund të sezonit.

Gjithsesi ylli spanjoll ka bindur të gjithë në San Siro për ta blerë atë në fund të sezonit dhe drejtuesit e klubit italian po duan me çdo kusht ta bëjnë të tyrin.

Calciomercato ka raportuar se Palo Maldini dhe Frederic Massara kanë lënë një takim me drejtuesit madrilen për të diskutuar për Diaz.

23-vjeçari ka dëshirë të qëndroj te Milani, përkundër se kontrata e tij me Real Madridin është deri në verën e vitit 2025.

Milani nuk e ka opsionin e blerjes, por duan të bindin Realin me një ofertë rreth 25 milionë euro për transferimin e përhershëm të spanjollit.

Gjithsesi palët pritet të kenë diskutime të gjata, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që Brahim Diaz të mbetet në Santiago Bernabeu, pasi forma e tij e mirë po vlerësohet edhe nga Real Madridi.

Diaz këtë edicion ka zhvilluar 26 ndeshje në të gjitha garat për Milanin ku ka realizuar pesë gola dhe ka asistuar në dy të tjerë. /Telegrafi/