Barcelona e kërkon Mohamed Salahun dhe anësori i Liverpoolit e dëshiron transferimin. Kështu ka thënë një mik i afërt i Ronald Koeman.
Rekorderi i paraqitjeve te Ajaxi, Sjaak Swart, i cili njëherësh ka afërsi të madhe me trajnerin e Blaugranëve, ka thënë për Voetbalzone.nl se egjiptiani është i hapur që të kalojë në Camp Nou.
Salah është një prej futbollistëve kyçë të Redsave, mirëpo Jurgen Klopp do ta ketë të vështirë që të mbajë.
“E di që Koeman e do atë dhe e di se Salah do të dëshironte të shkojë atje”, është shprehur Swart.
Kur është pyetur për burimin e informacionit, 82-vjeçari ka refuzuar të flasë: “Nuk mundem. Nuk do të jap detaje të tjera, por më besoni se e di”.
Mundësia e transferimit të Salah gjatë këtij sezoni është shumë e vogël për shkak të krizës financiare si pasojë e pandemisë, mirëpo Barca mund ta kërkojë atë në verën e ardhshme, sidomos në rast të largimit të Lionel Messi. /Telegrafi/