Ylli i Hollywoodit, Steven Seagal, ka folur për konfliktin në Ukrainë duke thënë se i shikon të dyja palët “si një familje”.
“Shumica prej nesh kanë miq dhe familje në Rusi e Ukrainë. Unë i shikoj të dyja si një familje”, ka thënë ylli i filmave aksion për Fox News Digital.
“Lutjet e mia janë që të dy vendet të arrijnë një zgjidhje pozitive, paqësore, ku ne mund të jetojmë dhe të lulëzojmë së bashku në paqe”, ka deklaruar 69-vjeçari.
Ylli i “Under Siege” u emërua si i dërguar i posaçëm për lidhjet humanitare me Shtetet e Bashkuara nga Ministria e Jashtme ruse në vitin 2018. Kjo do të “lehtësonte marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në fushën humanitare, duke përfshirë bashkëpunimin në kulturë, art, shkëmbimet publike dhe rinore”.
Atij iu dha shtetësia ruse në vitin 2016, ndërsa shtetësia e Seagal supozohej të ishte një shenjë e përmirësimit të marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Rusisë. /Telegrafi/