Sezoni 2024/2025 i Arsenalit do të vendoset nga dy takimet e tyre në Ligën e Kampionëve ndaj Real Madridit muajin e ardhshëm.
‘Topçinjtë’ siguruan kualifikimin në mesin e tetë më të mirave pasi e mposhtën PSV-në me rezultat të përgjithshëm 9-3 pas dy ndeshjeve.
‘Los Blancos’ në anën tjetër e patën më të vështirë kualifikimin, pasi u desh ekzekutimi i penalltive në mënyrë që ata të sigurojnë kalimin tutje.
Gara për Carlo Ancelottin dhe Mikel Artetan është që të kualifikohen në gjysmëfinale, diçka të cilën Arsenali nuk e ka arritur që nga viti 2009.
Takimi i fundit i Arsenalit ndaj Real Madridit në Ligën e Kampionëve erdhi në sezonin 2005/2007 kur Thierry Henry kishte heshtur turmën në ‘Santiago Bernabeu’ duke shënuar golin e fitores për 1-0.
Arteta po synon që t’i ketë të gjithë lojtarët në dispozicion për këto dy ndeshje dhe tashmë ai ka ofruar një përditësim sa i përket gjendjes shëndetësore të Bukayo Sakas.
“Ai është afër rikthimit dhe po bën progres mjaft të mirë. Le të shohim se si do të reagojë kur të rikthehet në stërvitje javën e ardhshme”.
“Shpresojmë që do të mund ta shohim me topin në këmbë më shumë se sa ka qenë në gjendje deri tani. Ai tashmë ka bërë shumë punë jashtë fushës”, ka thënë Arteta.
Saka ka qenë jashtë fushave për plotë tre muaj pas një lëndimi që e detyroi atë të operohet./Telegrafi/