Pep Guardiola dhe Mikel Arteta dhanë mendimin e tyre për rastin diskutabil të Mateo Kovacic i cili bëri një ndërhyrje të rrezikshme në Declan Rice, ndërhyrje kjo që sipas shumë personave duhej të ishte ndëshkuar me karton të kuq.
Arsenal fitoi me rezultat minimal 1-0 ndaj Manchester Cityt në “Emirates”, falë një goli në minutën e 86-të nga braziliani Gabriel Martinelli.
Pas ndeshjes, Guardiola u pyet se pse nuk e largoi kroatin nga fusha e lojës.
“Kovacic sapo u kthye nga lëndimi, por aftësia e tij për të luajtur me topin në këmbë ishte shumë e rëndësishme për ne. Jam shumë i sigurt se ai nuk u përjashtua nga loja sepse nuk duhej të përjashtohej. Nëse do të kishte diçka për ta përjashtuar, atëherë ai do të ishte përjashtuar”, ka thënë Guardiola në një intervistë pas ndeshjes.
Një koment për këtë situatë pati edhe trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, i cili komentoi shkurtimisht faullin e shkaktuar nga Kovacic dhe faktin se ai mori vetëm një karton të verdhë.
“E pashë të gjithë situatën, por tani gjithçka ka përfunduar. Kjo është në të kaluarën dhe ne jemi me fat që fituam”, ka thënë Mikel Arteta pas fitores.
Përndryshe, kjo ishte fitorja e parë e Arsenalit ndaj Manchester Cityt në Ligën Premier që prej vitit 2015./Telegrafi/