Site icon Telegrafi

Mijëra votues nga diaspora mund të mbesin pa votuar

Qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nuk u ka ofruar mundësitë e duhura që të aplikojnë për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 qershorit, thonë përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Albert Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se KQZ nuk ka adresuar siç duhet kërkesat dhe interesimin e mërgimtarëve për të qenë pjesë e procesit zgjedhor.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka zhvilluar një fushatë të mirëfilltë për t’i informuar votuesit nga jashtë, e as nuk është përgatitur që t’i pranojë kërkesat. Por, ka pasur probleme të cilat nuk janë adresuar siç duhet nga KQZ-ja”.

“Ajo që do të duhej të bënte KQZ-ja është që të krijojë data-baza elektronike, ku qytetaret duhej të aplikonin, t’i ngarkonin formularët aty dhe jo që ato të dërgohen me e-mail ose me postë. Dihet që posta në Kosovës vonohet me muaj të tërë. Në ketë mënyrë, ju është mohuar e drejta e votimit”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër, në KQZ nuk kanë dhënë një shpjegim për, ato që shoqëria civile dhe disa subjekte pjesëmarrëse në zgjedhje, i cilësojnë si lëshime.

Më 22 maj, ka përfunduar afati për regjistrimin e votuesve të mërgatës, të cilëve, sipas Ligjit për zgjedhje u mundësohet e drejta e votës edhe pse jetojnë jashtë vendit.

Periudha e aplikimit ka qenë nga 15 deri më 22 maj.

Albert Krasniqi tha se shumë qytetarë nuk kanë mundur të regjistrohen pasi mundësia e dhënë nga KQZ-ja ka qenë që të aplikojnë në një e-mail i cili është bllokuar, pasi ai nuk është administruar dhe qytetarët janë zhgënjyer.

“Dështimi kryesor ka ndodhur me vet pamundësinë e regjistrimit të gjithë atyre që kanë pasur kërkesa dhe tani se sa do të marrin ata pjesë ose jo, është më pak e rëndësishme për shkak se dëmi veç është bërë në momentin kur u është kufizuar kjo e drejtë “, tha Krasniqi.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 700 mijë qytetarë të Kosovës, përfshi dhe ata që nuk kanë të drejtën e votës, jetojnë në vende të ndryshme të botës.

Këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Diasporës në Qeverinë në largim të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, tha se mërgimtarët kanë pasur disa problemeve për qasje dhe aplikim për të qenë pjesë e procesit zgjedhor.

Megjithatë ai tha se për mërgimtarët të cilët kanë të drejtë vote, do të ketë mundësi për të votuar.

“KQZ-ja dhe Ministria e Diasporës ka kohë që kanë punuar për krijimin e kësaj mundësie, por tash për vet faktin që janë shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme, normalisht që nuk ka qenë e përgatitur për këto zgjedhje dhe fatkeqësisht duhet të vazhdohet me ritmin e vjetër siç ka qenë. Por, plani ka qenë që të jetë gjithçka në rregull. Megjithatë, është krijuar një sistem pavarësisht që nuk është shumë efikas i votimit me postë”, tha Sheremeti .

Ministria e Diasporës, ka nënvizuar Sheremeti, ka kërkuar që të bëhen ndryshime kushtetuese e ligjore në mënyrë që të gjendet një mundësi për rezervimin e vendeve në Parlament për diasporën e Kosovës.

Nga ana tjetër, partia politike Lëvizja Vetëvendosje, si një prej subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje, në një konferencë për media ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nuk po garanton të drejtën e votës për mërgatën.

Adnan Rrustemi nga kjo parti dhe anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tha se qasja e papërgjegjshme e KQZ-së, ua ka pamundësuar mijëra shtetasve që jetojnë jashtë vendit, të regjistrohen si votues.

Partitë politike në Kosovë kohë më parë kanë organizuar aktivitete të ndryshme politike në vende të ku ka shumicë mërgimtarësh, por së fundmi thuhet se organizimet e tilla kanë filluar të reduktohen. /rel/

Exit mobile version