Qindra komente kanë vërshuar në llogarinë e Shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini, për shkak të mos liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ishte 70-vjetori i Deklaratës së Përgjithshme të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, që bëri kosovarët të acarohen me Mogherinin, pasi kjo e fundit e publikoi në Facebook.
Pas kësaj qytetarët e Kosovës janë sulur me komente, nga më të ndryshmet.
Ka pasur mbi 13 mijë reagime nga qytetarët shqiptarë në adresë së Mogherinit, një pjesë e të cilëve e quajtën krye-diplomaten evropiane dhe si raciste dhe pro-ruse.
Shumë qytetarë kanë pyetur për të drejtat e shqiptarëve, mos liberalizimin e vizave, izolimin e shqiptarëve të Kosovës….
Pas gjithë kësaj, Mogherinit duket se i ka humbur durimi dhe më në fund vendosi t’iu drejtohet komentuesve me një status në llogarinë e saj në Facebook.
“Kuptoj shqetësimin tuaj. Duket se jam keqkuptuar lidhur me deklarimet e fundit mbi çështjet e Kosovës lidhur me rritjen e taksave dhe krijimin e ushtrisë. Kurrë nuk kam qenë e njëanshme në marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë. Të gjitha qëndrimet e mia kanë për qëllim t’i shërbejnë paqes dhe stabilitetit në rajon”, shkruan ajo.
Ndërkaq duhet kujtuar se Parlamenti Evropian në shtator mbështeti heqjen e vizave për banorët e Kosovës, pasi kjo e fundit ka përmbushur 95 kriteret e kërkuara.
Por, përkundër kësaj qytetarët e Kosovës u zhgënjyen pasi, komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka përmendur vitin 2020, si kohën më optimale kur Kosova do të mund sërish të presë një vendim eventual pozitiv për liberalizimin e vizave. /Telegrafi/