Site icon Telegrafi

Miftaraj reagon pas deklaratave të Lajçakut në Beograd: Na pret një defensivë e ashpër diplomatike

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të dërguarit të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili ka thënë në Beograd se Kushtetuta nuk është Bibël  dhe se Kosova duhet ta ndryshojë atë për Asociacionin.

Miftaraj përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Lajçak këtë njoftim dhe qëndrim nuk e bëri në Prishtinë, por në Beograd.

Sipas tij, veprimi i të dërguarit për dialogun e ndryshoi rrjedhën e negociatave, duke e drejtuar presionin drejtë arritjes së marrëveshjes finale në anën e Kosovës.

“Njoftimin dhe qëndrimin e tij për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës nuk e bëri në Prishtinë, por në Beograd. Veprimi i tij e ndryshon rrjedhën e negociatave, duke e drejtuar presionin drejtë arritjes së marrëveshjes finale në anën e Kosovës”, tha ai.

Lexo po ashtu Lajçak: Kushtetuta nuk është Bibël - Kosova duhet ta ndryshojë atë për Asociacionin

Miftaraj theksoi se në Kosovë misionin e tij e përfundoj me lëvdata për kryeministrin Hoti për lidership, rolin dhe guximin e tij në negociatat Kosovë-Serbi, e në Serbi siç tha ai Lajçaku e dërgoj mesazhin e kërkuar nga Beogradi.

“Vetëm pjesëmarrja në negociata dhe nevoja për të shëruar komplekset me lëvdata nga lehtësuesi i negociatave nuk mjafton. Përkundrazi, e vë Republikën e Kosovës prapë në defanzivë. Në aspektin personal edhe mund të vet kënaqesh, por kjo nuk është forma dhe mënyra për të mbrojtur interesat e Republikës dhe popullit të Kosovës. Na pret një defanzive diplomatike e ashpër, 100 herë më e ashpër se procesi i demarkacionit”, tha Miftaraj.

Ndryshe, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se pozicioni i BE-së është të negociojë procese kaq serioze dhe se është logjike që edhe Kushtetuta do të duhet të ndryshohet. /Telegrafi/

Exit mobile version