Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se është mirë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të informojë qytetarët se në veri ka objekte të rëndësishme të Republikës së Kosovës, të cilat nuk kanë as sigurim e as policë.
“Ne po shohim edhe fotografitë e ministrit Sveçla në pjesën veriore se si është në pikën kufitare 1-31 në Bërnjak apo kudo, por besoj që është mirë që ministri Sveçla të informojë qytetarët që ka objekte të rëndësishme të Republikës së Kosovës, të cilat sot nuk kanë as sigurim privat, të cilin e kanë pasur dhe janë tërhequr nga kompanitë që kanë ruajtur në atë pjesë, por as nuk ka policë të mjaftueshëm për t’i siguruar ato objekte, që janë të rëndësisë të veçantë për Republikën e Kosovës”, ka thënë Miftaraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Një gjë e tillë, sipas Miftarajt nga pala tjetër shihet si një mundësi unike që nesër, pasnesër qoftë t’i sulmojnë, qoftë t’i djegin apo edhe të ndërmarrin veprime, të cilat pastaj në njëfarë mënyre e cenojnë sigurinë në atë pjesë të Republikës së Kosovës.
“Por, unë besoj në këtë fazë është shumë e rëndësishme komunikimi, koordinimi jo vetëm adekuat por ditor, besimi me partnerët ndërkombëtarë me theks të veçantë shtetet kryesore, shtetet e Quintit, por edhe me KFOR-in edhe EULEX-in brenda autorizimeve të kufizuara që i kanë, në një farë mënyre me monitoru atë pjesë të vendit. e cila mundet për një kohë të shkurt, apo për një shkëndijë të vogël të kalojë nga sa është qetë sot, në një situatë e cila mund të jetë e rrezikshme nesër”, ka thënë Miftaraj.