Site icon Telegrafi

Microsoft “do të zëvendësojë gazetarët me robotë”

Microsoft do të zëvendësojë dhjetëra gazetarë me kontratë në faqen e internetit të MSN dhe të përdorë sisteme të automatizuara për të zgjedhur histori lajmesh, raporte të mediave amerikane dhe britanike.

Siç thuhet më tej, ngjarjet nga organizatat e lajmeve dhe përzgjedhja e titujve dhe fotove për faqen e MSN aktualisht bëhet nga gazetarët.

Por, sipas Seattle Times, përcjell Telegrafi, Inteligjenca Artificiale pritet që në të ardhmen të kryejë këto detyra të prodhimit të lajmeve.

Sipas Microsoft, kjo është pjesë e një vlerësimi të biznesit të saj.

Gjiganti i teknologjisë amerikane tha në një deklaratë: “Si të gjitha kompanitë, ne vlerësojmë biznesin tonë në mënyrë të rregullt. Kjo mund të rezultojë në rritje të investimeve në disa vende dhe, herë pas here, rizhvendosje në të tjerët. Këto vendime nuk janë rezultat i pandemisë aktuale”.

Microsoft, si disa kompani të tjera të teknologjisë, paguajnë organizatat e lajmeve për të përdorur përmbajtjen e tyre në faqen e saj të internetit.

Por i punëson gazetarët të vendosin se cilat histori do të shfaqen dhe si të paraqiten.

Dhe tanimë, si pasojë, rreth 50 prodhues të lajmeve me kontratë do të humbasin punën e tyre në fund të qershorit, raporton Seattle Times, por një ekip gazetarësh me kohë të plotë do të mbetet.

“Është demoralizuese të mendosh që makinat mund të na zëvendësojnë”, i tha gazetës një prej atyre që përballeshin me largim.

Gjithsesi, disa gazetarë të larguar nga puna paralajmëruan se inteligjenca artificiale mund të mos jetë plotësisht e njohur me udhëzimet e rrepta editoriale dhe mund të përfundojë duke lejuar histori të papërshtatshme.

Ndryshe, Microsoft është një nga shumë kompani të teknologjisë që eksperimenton me format e të ashtuquajturës gazetari robotike për të ulur kostot. Google gjithashtu po investon në projekte për të kuptuar se si mund të funksionojë. /Telegrafi/

Exit mobile version