Microsoft ka lansuar një aplikacion për softuerin e saj Copilot për përdoruesit e Android.
Aplikacioni i ri është i disponueshëm për t’u ngarkuar në dyqanin e Google Play Store, dhe ofron akses në softuerin e Copilot të Microsoftit, një platformë me Inteligjencë Artificiale, transmeton Telegrafi.
Copilot në Android është i disponueshëm për gati një javë tashmë, por versioni për përdoruesit e iOS ende nuk është i disponueshëm.
Aplikacioni Copilot i Microsoft në Android është shumë i ngjashëm me platformën ChatGPT, me një funksion bisedor, mund të gjeneroni imazhe përmes platformës DALL-E dhe mund të hartoni tekst për email dhe dokumente.
Me Copilot mund të keni qasje falas në modelin më të fundit GPT-4 të OpenAI, diçka për të cilën duhet të paguani nëse jeni duke e përdorur ChatGPT-n.
Lansimi i aplikacionit Copilot për Android vjen pak më shumë se një muaj pasi Microsoft, riemëroi Bing Chat në Copilot.