Telegrafi

Mickoski: Problemi nuk është tek pastrimi, por tek ai që duhet të pastrojë

Pas paralajmërimeve të kryeministrit Zoran Zaev se pushteti e ka marrë mesazhin nga qytetarët dhe do të ketë pastrime kadrovike, ka reaguar edhe kryetari i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski.

Ai thotë se problemi nuk është tek pastrimi, por tek ai që duhet të pastrojë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Nuk është tek pastrimi, por problemi është tek ai që duhet të pastrojë, emrin e ka Zoran Zaev. Pasi premtimet për 500 euro rrogë nuk i dha dikush tjetër, por vetë Zoran Zaevi. Premtimet për jetë në Maqedoni, për më shumë para për bujqit, për 100 mijë denarë rrogë për mjekët, për drejtësi dhe paqe nuk i dha dikush tjetër, por ai ishte Zoran Zaevi”, shkruan Mickoski.

Ai përmend edhe deklaratat e Zaevit të cilat i dha më herët për largimin e dy ministrave të dyshuar për korrupsion, ndërsa thekson se as nga kjo nuk ka rezultate.

“Ai i mashtroi dhe gënjeu qytetarët. E solli apatinë dhe dëshpërimin në shtet. Qëndrimi se të gjithë kanë gabuar, e vetëm ai i është i pastër, është nënvlerësim i qytetarëve. Për këtë arsye, më 5 maj duhet të merr leksion, të cilin sigurisht nuk e mësoi këtë të diel”, shkruan më tej Mickoski.

Ndryshe, kryeministri Zoran Zaev dje në një tubim gjatë fushatës para rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, tha se e ka marrë mesazhin nga populli dhe paralajmëroi se do të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar./Telegrafi/

Lexo po ashtu Zaev: Nuk e kërcënoj askënd, por do të ketë pastrime (Video)