Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka takuar krerët e partive politike në Maqedoni.
Meta ka takuar kryetarët e partive shqiptare, Ali Ahmetin e BDI-së, Ziadin Selën e Aleancës për shqiptarët, Menduh Thaçin e PDSH-së dhe Bilall Kasamin e Lëvizjes Besa.
Në njoftimin drejtuar Telegrafit nga presidenca thuhet se Meta ka folur për rolin e faktorit politik shqiptar në harmoninë ndëretnike në Maqedoni.
”Gjatë këtyre takimeve Presidenti Meta vuri në dukje dhe theksoi rolin kyç të faktorit politik shqiptar për harmoninë ndëretnike në Maqedoni si dhe nënvizoi rëndësinë që mbart bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv i të gjitha forcave politike për ardhmërinë dhe perspektivën integruese euro-atlantike të Maqedonisë” thuhet në njoftimin e dërguar nga presidenca.
Dje Ilir Meta është takuar me Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë dhe kryetar i LSDM-së. Gjithashtu Presidenti i Shqipërisë është takuar edhe me kryetarin e OBRM-PDUKM-së, Nikolla Gruevski. /Telegrafi/