Site icon Telegrafi

Meta në Maltë: Paqja dhe siguria në Ballkan, thelbësore për prosperitetin e Evropës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka njoftuar sot se po merr pjesë në punimet e “Forumit Botëror për Kulturën dhe Një Paqe të Drejtë” që po zhvillohet në kryeqytetin e Maltës në Valletta, nën kujdesin e Presidentit të Maltës, George Vella.

Meta e ka shfrytëzuar këtë mundësi për të theksuar se paqja mbetet gjithmonë e brishtë dhe e kërcënuar, prandaj duhet të punohet pa u lodhur për të.

Në fjalën e tij të nderit të mbajtur në forum, Meta ka theksuar se “nëse jemi neglizhentë dhe jo vigjilentë në paqe, një ditë do të zgjohemi në luftë”.

Sipas Metës, paqja, siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë në thelb të lidhura me paqen dhe prosperitetin e kontinentit evropian.

“Shqipëria mbetet e përkushtuar në promovimin e paqes dhe në angazhimin e saj, edhe si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB, për të dekurajuar çdo konflikt që cenon sovranitetin, vlerat e lirisë, dëmton paqen dhe zhvillimin”.

Presidenti ka folur edhe për situatën në Ukrainë. Ai ka theksuar që kjo situatë kritike është një mësim dhe një kambanë alarmi për të gjitha vendet dhe udhëheqësit e tyre.

“Kërkohet vendosmëri dhe mençuri për të parandaluar eksperimente territoriale në rajone të tjera”, ka nënvizuar Meta, duke shtuar se është e domosdoshme të ndërtohet mekanizma funksionalë dhe të efektshëm për të garantuar paqen dhe sigurinë, si në nivel rajonal ashtu edhe në atë globale.

Një ditë më parë, Meta u prit me ceremoni zyrtare nga Presidenti i Maltës, George Vella. /Telegrafi/

Exit mobile version