Site icon Telegrafi

Meta: Krimeve kundër njerëzimit të kryera nga Rusia duhet të hetohen

Presidenit i Shqipërisë, Ilir Meta i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të shumëfishojë përpjekjet për të ndaluar agresionin rus në Ukrainë.

Në një postim në Facebook, Meta ka reaguar pas pamjeve të publikuara nga Ministria ukrainase e Mbrojtjes nga pasojat e luftës në qytetin Bucha.

“I shokuar nga mizoritë e ushtrisë ruse në Bucha dhe rajone të tjera të Ukrainës. Civilët e masakruar, varret masive dhe përdhunimet janë evidenca të pakundërshtueshme të genocidit që Rusia po zbaton në Ukrainë”, ka shtuar Meta

Meta është shprehur se krimet kundër njerëzimit të Rusisë në Ukrainë duhet të hetohen.

“Si vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria do të japë kontributin e saj në këtë drejtim”, ka theksuar Meta.

Ministria ukrainase e Mbrojtjes e ka përshkruar në detaje tmerrin që kanë hasur pas hyrjes në qytetin Bucha, që gjendet në perëndim të Kievit.

Në një video që e kanë shpërndarë në profilin zyrtar në Twitter, mund të shihet në çfarë përmasash ishte tmerri për të cilin ukrainasit flisnin.

“Srebrenica e re. Qyteti ukrainas Bucha prej javësh është nën kontrollin e ‘kafshëve ruse’. Civilët lokalë janë vrarë në mënyrën më të tmerrshme, u janë lidhur duart pas shpinës, e trupat u janë hedhur nëpër rrugët e qytetit”, thuhet në kumtesën e ministrisë ukrainase të Mbrojtjes.

Kujtojmë që ushtria ukrainase sërish ka marrë nën kontroll pjesë të qyteteve përreth Kievit – e pamjet në të cilat kanë hasur ushtarët ukrainas në këtë rajon janë tejet të tmerrshme.

Videon që e kanë realizuar ushtarët ukrainas me rastin e hyrjes në Bucha mund ta shikoni më poshtë, por që vlen të theksohet se janë pamje shumë të rënda. /Telegrafi/

Exit mobile version