Barcelona u eliminua nga Liverpooli pas një paraqitje spektakolare të gjigantit anglez në Anfield.
Katalunasit kishin triumfuar 3-0 në ndeshjen e parë, por Liverpool bëri një paraqitje spektakolare duke e fituar lojën e dytë 4-0 dhe duke siguruar finalen e Ligës së Kampionëve.
E për atë takim nuk kishte folur asnjëherë Lionel Messi deri më sot, kur deklaroi se eliminimi ishte një goditje e rëndë.
“Humbja ndaj Liverpoolit ishte një goditja shumë e rëndë dhe na u desh kohë që të ringrihemi. Nuk e kam rishikuar ndeshjen, por ajo që ka ndodhur në Anfield ishte e ngjashme me atë të Romës dhe më e rëndë”, tha Messi.
Ylli argjentinas u pyet edhe për Këpucën e Artë të Evropës, ku është në konkurrencë me Kylian Mbappen.
“Nuk mendoj fare për fitimin e Këpucës së Artë. Në kokën time vazhdon të jetë ajo se çfarë ndodhi në Liverpool”, deklaroi Messi.
31-vjeçari foli edhe për trajnerin aktual Ernesto Valverden, të cilit ja lë një pjesë të fajit për eliminimin.
“Kam lexuar për kritikat drejt trajnerit Valverde, por ai ka bërë një punë të mrekullueshme në dy vite”.
“Sa i përket eliminimit nga Liga e Kampionëve, ai ka një pjesë të fajit, por jo të gjithin”, tha Messi.
Argjentinasi ka deklaruar se dëshiron që Valverde të vazhdoj të jetë trajner i Barcelonës.
“Do të dëshiroja që të qëndronte. Vitin e kaluar kemi fituar dy trofe, ndërsa edhe këtë vit mund ta përsërisim të njëjtin sukses”, përfundoi gjeniu argjentinas. /Telegrafi/