Site icon Telegrafi

“Messi ia ka fituar trofetë Barcelonës, jo Guardiola” – Magath kritikon trajnerin e Manchester Cityt

Barcelona arriti të fitonte dy tituj të Ligës së Kampionëve nën menaxhimin e Pep Guardiolas, vetëm për shkak të shkëlqimit të Lionel Messit, kështu ka thënë ish-trajneri i Bayern Munichut, Felix Magath.

Katalunasit e fituan tripletën si, La Liga, Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampionëve në sezonin 2008/09, e që trajneri ishte në edicionin e tij të parë.

Guardiola u largua nga Barcelona në vitin 2013 me 14 trofe të fituar, mirëpo Magath nuk mendon se strategu i Manchester Cityt është më i merituari.

“Messi i ka fituar trofetë, jo Guardiola”, ka thënë ai për Sport Bild. “Pa Messin, me këtë sistem të lojës, Guardiola nuik do të mund t’i kishte kurrë ata tituj”.

“Po të ishte trajner i dalluar, ai do fitonte Ligën e Kampionëve me Bayern Munichun apo Manchester Cityn para disa sezonesh”.

“Tika-taka funksionon vetëm nëse keni lojtarë taktikisht superior ndaj kundërshtarëve. Për tifozët, mbajtja e topit, siç them unë, është vetëm një kohë e mërzitshme, nuk është e nevojshme”.

“Mendoj se Guardiola të shumtën e takimeve i humbë duke menduar për mbajtjen e topit, ajo është diçka e gabuar dhe nuk shpien askund”, ka thënë më tej Magath. /Telegrafi/

Exit mobile version