Ylli i Barcelonës, Lionel Messi ka lavdëruar bashkëkombësin e tij, sulmuesin e Interit, Lautaro Martinez, duke e cilësuar lojtar spektakolar dhe të kompletuar.
22-vjeçari argjentinas është lidhur me një transferim në Camp Nou muajt e fundit dhe një klauzolë lirimi prej 111 milionë mund të paguhet për t’u siguruar që Barca të arrij objektivin e tyre.
Messi ka pohuar se ai nuk di për problemet dhe rezultatet e negociatave, por e ka lavdëruar Lautaron dhe e ka krahasuar atë me yllin uruguaian, Luis Suarez.
“Për të qenë i sinqertë, unë nuk e di nëse ka pasur ndonjë bisedim. Nuk kam asnjë ide”, ka thënë fillimisht Messi për El Mundo Deportivo.
“E kam thënë tashmë, Lautaro është një sulmues mbresëlënës. Mendoj se ai është i kompletuar dhe ka shumë cilësi”.
“Ai është shumë i fortë, driblon mirë një me një, shënon gola, di të mbrojë topin. Në zonë, ai lufton me këdo, reziston dhe kthehet mbrapa”.
“Lautaro është spektakolar, mund të thuash që ai do të bëhej një futbollist i shkëlqyeshëm, por ai tani ka shpërthyer dhe po e tregon atë”.
“Është shumë i ngjashëm me Luis Suarez, të dy lëvizin shumë mirë dhe kanë të njëjtën mënyrë për të përfunduar aksionin. Do të duhet të shohim se çfarë ndodh dhe me emrat e tjerë që qarkullojnë në treg”, përfundoi kapiteni i Barcelonës. /Telegrafi/