Lionel Messi ka dërguar një mesazh mbështetjeje për ish-portierin e Real Madridit, Iker Casillas – pasi ky i fundit pati një sulm në zemër gjatë një sesioni trajnimi dje pasdite me Porton.
Casillas, tani portier i Portos u dërgua në spital dhe një deklaratë zyrtare nga klubi tha se ai po shërohet mirë pa dëmtime të qëndrueshme për shëndetin e tij.
Pavarësisht një rivaliteti të fortë gjatë viteve të fundit ndërmjet Real Madridit dhe Barcelonës, lojtarët e tanishëm dhe të mëparshëm kanë dalë të gjithë së bashku në mbështetje të Casillasit.
I fundit që i doli në mbështetje me një mesazh është ylli argjentinas i Barcelonës, Messi.
Messi përdori profilin e tij në rrjetet sociale pas fitores kundër Liverpoolit në Ligën e Kampionëve, për të postuar një mesazh për Casillas.
“Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të dërguar një përqafim tek Iker Casillas. I uroj atij gjitha të mirat dhe shpresoj që ai të rimëkëmbet së shpejti”, ka shkruar pos tjerash Messi në Instagram.
Ndryshe, Messi arriti 600 gola në karrierë me Barcelonën, por pavarësisht fitores 3-0 në ndeshjen e parë paralajmëroi për kujdes në ndeshjen kthyese. /Telegrafi/