Telegrafi

Mësohet e vërteta që tha Vidal për Ronaldon

Pas barazimit të Kilit ndaj Australisë (25 qershor), Arturo Vidal foli për mediat, mirëpo përkthimi i gabuar bëri që ai të bëhej kryetemë e gazetave.

Sipas asaj që u shpërnda në media, mesfushori kilian e kishte ofenduar Cristiano Ronaldon: “Cristiano është irritues! Për mua ai nuk ekziston” – ishin fjalët që citoheshin kinse i kishte thënë 30-vjeçari.

Mirëpo, ajo që në të vërtetë kishte deklaruar Vidal ishte diçka tjetër. Ai u kishte thënë gazetarëve: “Nuk ka një ‘cuco’ në Portugali”.

“Cuco” në spanjishten kiliane përkthehet si “dikush nga i cili duhet të kesh frikë”. Pra, deklarata e vërtetë e Vidal ishte: “Për mua, nuk ekziston dikush nga i cili duhet të kemi frikë në skuadrën e Portugalisë”.

Lexo po ashtu Kili në finale të Kupës së Konfederatave (Video)

Dhe për të sqaruar gjithçka ka dalë edhe sekretari ekipor i Kilit, Maria Jose Vasconcelos.

“Ato që janë raportuar janë të rrejshme. E vetmja gjë që Arturo Vidal ka thënë për Cristiano Ronaldon ishte në zonën e përzier, ndërsa ai është pyetur nëse ka frikë nga ‘cuco’”, ka sqaruar Vasconcelos për ESPN FC.

Në ndërkohë, të mërkurën mbrëma, skuadra e Vidal e eliminoi atë të Ronaldos nga Kupa e Konfederatave, pas ekzekutimit të penaltive. /Telegrafi/