Telegrafi

Mësohet arsyeja e pozimit të Xhakës me fanellën e Arsenalit

Mesfushori shqiptar, Granit Xhaka, është parë duke pozuar me fanellën e Arsenalit, fotografi që dolën nëpër mediat botërore gjatë fundjavës.

Sky Sports raporton se mesfushorit i janë bërë fotografi me fanellën e re, në mënyrë që ai të udhëtojë sa më herët të jetë e mundur që të nisë përgatitjet me Zvicrën për ‘Euro 2016’.

Arsenali planifikonte të përdorte këto imazhe si material promovues, përcjell Koha Ditore.

Po ashtu, bëhet e ditur se transferimi i Xhakës te Arsenali është punë e kryer. Ai do të bëhet blerja e dytë më e shtrenjtë në histori të klubit londinez. Topçinjtë për të kanë paguar 45 milionë euro.

Njëherësh, raportohet se lojtari tashmë ka arritur marrëveshje personale dhe i ka kaluar testet mjekësore.

Transferimi i tij pritet të bëhet zyrtar shumë shpejt nga Arsenali.