Paulo Dybala ishte vendimtar në ndeshjen e të mërkurës ndaj Napolit, ndërsa festoi në të njëjtën mënyrë si në vitin 2019 kur spekulohej për largimin e tij nga Juventusi.
La Gazzetta dello Sport dhe Tuttosport kanë raportuar se të gjithë lojtarët në fushë dhe ata rezervë e kishin uruar argjentinasin për golin e tij duke treguar afeksionin ndaj numrit 10.
La Joya u kthye pas mungesës së gjatë për shkak të lëndimit, ndërsa iu deshën pak minuta që ta shënonte golin që rezultoi i fitores në triumfin prej 2-1 kundër Partenopei.
Ndërsa nëse analizohet mënyra si festoi duke vënë dorën mbi emblemën e Juves, ky ishte një mesazh se nuk planifikon të largohet.
Në vitin 2019 ishin intensifikuar thashethemet se ai do të largohej nga Zonja e Vjetër dhe pas një goli që shënoi në një ndeshje miqësore ndaj Triestinas, sulmuesi festoi në të njëjtën mënyrë. Asokohe, Dybala e refuzoi transferimin te Manchester Unitedi.
Edhe në javët e fundit janë shtuar spekulimet në mediat italiane se 27-vjeçari do të largohet këtë verë dhe se Bianconerët e kanë tërhequr marrëveshjen për rinovimin e kontratës. /Telegrafi/