“Po më çojnë për të më pushkatuar, Ministria e Mbrojtjes po na qëllon, kam humbur shumë njerëz, mbani mend këtë: mos dërgoni më shumë njerëz këtu, dua të kthehem në shtëpi, por nuk më lënë, mjaft, duan të na vrasin të gjithëve”, ky është mesazhi i fundit që Viktor Sevalnev i dërgoi gruas së tij, raportoi CNN.
Një i dënuar, i cili ishte në burg për grabitje me armë dhe sulm, u dërgua nga burgu për të luftuar për Rusinë në Ukrainë, transmeton Telegrafi.
Shumica e shokëve të tij u vranë në sulmin në fabrikën jashtë Soledarit. Në mesazhin e tij të fundit për gruan e tij, ai tha se kishte frikë se zyrtarët e Ministrisë ruse të Mbrojtjes do ta merrnin së shpejti nga shtrati i spitalit, ku ai regjistroi mesazhin audio dhe do ta ekzekutonin.
Disa ditë më vonë trupi i tij iu kthye gruas së tij në Moskë në një arkivol të mbyllur.
Për muaj të tërë, Rusia ka përdorur kompaninë private mercenare Wagner, për të forcuar praninë e saj në vijën e parë.
Prigozhin njoftoi të enjten se Wagner kishte ndaluar rekrutimin e të dënuarve për të luftuar në Ukrainë. Asnjë arsye nuk u dha për atë vendim.
Megjithatë, mesazhi nga Sevalnev dhe disa të burgosur të intervistuar nga CNN, tregojnë për një strategji të re shqetësuese.
Ata thonë se ishin të punësuar drejtpërdrejt nga Ministria ruse e Mbrojtjes. Një zyrtar i inteligjencës ukrainase konfirmoi për CNN, se të burgosurit e kapur së fundmi nga forcat ukrainase, thanë se ishin të punësuar drejtpërdrejt nga ministria.
“Ata na thonë se nuk janë Wagner, se janë ftuar zyrtarisht nga Ministria e Mbrojtjes”, tha për CNN Andriy Usov, një përfaqësues i kundërzbulimit të ushtrisë ukrainase.
Usov tha se zhvillimi kishte “jehonë të grindjeve të brendshme midis udhëheqjes ushtarake ruse” dhe se hierarkia ruse e mbrojtjes, Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe kreu i ri i operacioneve në Ukrainë, Valery Gerasimov, rekrutuan të dënuar.
Sipas Usovit, ministria “i përdor ato në të njëjtën mënyrë si Wagner – si mish për top”.
Vladimir Osechkin, nga grupi i të drejtave të të burgosurve Gulagu.net, tha se ministria e mbrojtjes duket se po josh rekrutët dhe të dënuarit duke u ofruar atyre “kushte më të favorshme”.
Me këtë, thotë ai, duan të zvogëlojnë ndikimin e Wagnerit dhe shefit të tij, Yegveny Prigozhin.
“Shumë në Moskë kanë vërtet frikë nga Prigozhin. Ata e kuptojnë se ai komandon një bandë të madhe – një grup të organizuar kriminal mercenarësh dhe vrasësish – i cili në çdo moment mund të organizojë Zoti e di se çfarë në Moskë”, tha Osechkin. /Telegrafi/