Telegrafi

Mesazhi i fundit i Sterlingut për ekipin e Anglisë para se të kthehej në shtëpi

(Foto: Getty Images)

Bukayo Saka e ka treguar mesazhin e fundit të Raheem Sterling për skuadrën e Anglisë para se të nisje për në shtëpi.

Gjatë kohës sa 27-vjeçari ndodhej në Katar, shtëpia e familjes së tij në Surrey është plaçkitur. Me këtë rast kanë mbetur të tmerruar e fejuara e tij, Paige Milian dhe dy fëmijët, të cilët ndodheshin brenda, ndërsa janë vjedhur orë dhe stoli në vlerë prej 300.000 funte (350.000 euro).

Dhe përpara ndeshjes së 1/8 së finales kundër Senegalit, u konfirmua se Sterlingu nuk do të ishte i disponueshëm për përzgjedhje, pasi është kthyer në shtëpi për të qenë me familjen e tij.

Mirëpo, para se t’i linte bashkëlojtarët e tij, futbollisti i Chelseat ka një mesazh, të cilin e ka bërë publik anësori i Arsenalit, Saka.

(Foto: Getty Images)

Kur është pyetur për bashkëlojtarin e tij, Bukayo ka thënë: “Ai na uroi të djeshmen (ndeshjen ndaj Senegalit) më të mirë meqë po shkonte dhe unë i kam shkruar me shpresën që të ma kthejë më vonë – vetëm shpresoj që ai dhe familja e tij të jenë mirë”.

Tre Luanët e bënë krenar Sterlingun duke e mposhtur Senegalin me rezultat 3-0 dhe në çerekfinale do të luajnë kundër Francës.

Lidhur me mungesën e anësorit, trajneri Gareth Southgate deklaroi: “Duhet të presim dhe të shohim. Tash për tash për të është prioritet familja, ne do ta mbështesim këtë dhe do t’i japim aq kohë sa të ketë nevojë… Nganjëherë futbolli nuk është gjëja më e rëndësishme dhe familja duhet të vijë në radhë të parë”. /Telegrafi/