Site icon Telegrafi

Mesazh tjetër për Putinin – Ukraina marrëveshje me dhjetë vende “mbi garancitë e sigurisë”

Ukraina është aktualisht në bisedime me dhjetë vende për të nënshkruar marrëveshje dypalëshe “mbi garancitë e sigurisë”.

Këtë e ka bërë të ditur zëvendës-shefi i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, Ihor Zhovkva, në televizionin ukrainas, transmeton Ukrinform, përcjell Telegrafi.

“… Ne nuk do të njoftojmë për ecurinë të negociatave dhe se ku dhe kur do të nënshkruhet një marrëveshje e caktuar”, tha Zhovkva.

Ai tha se ka pasur një konkurrencë të caktuar mes partnerëve se kush do të nënshkruajë fillimisht një marrëveshje të tillë.

Zhovkva shtoi gjithashtu se çdo marrëveshje e tillë i tregon Rusisë se vendet partnere do ta ndihmojnë Ukrainën si gjatë luftës ashtu edhe pas përfundimit të saj.

Lexo po ashtu Rreth dërgimit të trupave nga vendet perëndimore në Ukrainë deklarohet edhe Finlanda

Diplomati tha se nëse Ukraina bëhet anëtare e NATO-s gjatë dhjetë viteve të vlefshmërisë së marrëveshjeve, sistemi i sigurisë i parashikuar prej tyre do të integrohet në sistemin e sigurisë të aleancës ushtarake.

Më 12 korrik 2023, në margjinat e samitit të NATO-s në Vilnius, liderët e vendeve të G7 ranë dakord për një Deklaratë të Përbashkët të Mbështetjes për Ukrainën. Sipas dokumentit, po punohet për detyrimet dhe marrëveshjet dypalëshe afatgjata në fushën e sigurisë.

Më 8 janar 2024, presidenti Volodymyr Zelensky miratoi përbërjen e delegacionit për negociatat për garancitë e sigurisë për Ukrainën.

Në zbatim të marrëveshjeve të arritura në Samitin e NATO-s në Vilnius, Ukraina lidh marrëveshje dypalëshe sigurie me vendet anëtare të NATO-s. Marrëveshje të tilla tashmë janë nënshkruar me Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Danimarkën, Kanadanë, Italinë dhe Holandën. /Telegrafi/

Exit mobile version