NATO duhet të jetë gati që Rusia mund të nisë një luftë “ekzistenciale” kundër shteteve baltike “të maskuar nga një stuhi dezinformimi”, kanë paralajmëruar ambasadorët e tre vendeve.
Duke shkruar ekskluzivisht për The Sunday Telegraph, diplomatët kryesorë në Mbretërinë e Bashkuar nga Estonia, Letonia dhe Lituania thanë se Rusia mund “të lëvizë shpejt” nga Ukraina për të pushtuar Baltikun, thekson Yahoonews, përcjell Telegrafi.
Dhe ata thanë se brutalizimi i Ukrainës nga Vladimir Putin po ngjall “kujtimet më të errëta” të pushtimit të tri vendeve nga Stalini.
Ambasadori i Estonisë, Viljar Lubi, ambasadorja letoneze, Ivita Burmistre dhe e ngarkuara me punë e Lituanisë, Lina Zigmantaite, shkruan artikullin e përbashkët për të shënuar të premten 20-vjetorin e anëtarësimit të vendeve të tyre në NATO.
Ambasadorët thanë se bashkimi me aleancën do të thoshte se kombet e tyre nuk kishin gëzuar kurrë “siguri kolektive më të fortë” se sot, por “as nuk jemi përballur me një kërcënim më të frikshëm”.
Në një referencë për vendet tjera evropiane që kishin minimizuar rrezikun e Rusisë, ata thanë: “Paralajmërimet tona për kërcënimin latent dhe në rritje nga Lindja u hodhën poshtë shumë lehtë në disa kryeqytete aleate”.
“Ne e dinim atëherë, ashtu siç e dimë sot se vetëm një mbrojtje kolektive mund të garantojë sigurinë në Evropë. Kjo na mungonte në vitet 1930 dhe paguam një çmim të rëndë; një që ukrainasit po paguajnë tani”.
Ambasadorët thanë se “vuajtjet” që po përjeton aktualisht Ukraina në formën e “deportimit, torturës, rrëmbimit të fëmijëve” dhe “fshirjes kulturore” zgjuan “kujtimet dhe frikën më të errët” të vendeve të tyre – një referencë e dukshme për pushtimin sovjetik të shteteve baltike që filloi në vitin 1940.
Duke paralajmëruar se Rusia mund të kërkojë edhe një herë të pushtojë ato, ata thanë: “Ne jemi shumë të vetëdijshëm se ekonomia ruse e luftës dhe ushtria mund të lëvizin shpejt nga jugu në perëndim”.
Me vendet tashmë të sulmuara nga “sulme hibride” si lufta kibernetike “në baza ditore”, ata paralajmëruan se një “sfidë ekzistenciale” ndaj pavarësisë së tyre “mund të duket fillimisht e paqartë, e maskuar nga një stuhi dezinformimi dhe shpërqendrime të tjera”.
“Në këto rrethana, konfuzioni parashikon humbje. Prandaj, ne – dhe aleatët tanë – duhet të jemi gati për t’iu përgjigjur shpejt, bindshëm dhe efektivisht të gjitha llojeve të kërcënimeve”.
Për të penguar Rusinë, ata bënë thirrje për “vendimmarrje më të shpejtë” në NATO dhe për të gjithë anëtarët “të investojnë në forcat dhe pajisjet për t’i bërë realitet planet e reja të mbrojtjes së aleancës”.
Sa i përket Ukrainës, ata thanë se Rusia “nuk duhet të lejohet të fitojë”.
Ambasadorët thanë se pranimi i Ukrainës në NATO në një datë të ardhshme jo vetëm që do të mbrojë vendin nga agresioni i mëtejshëm rus, por do të forcojë aleancën sepse “si një aleate e ashpërsuar nga beteja, Ukraina do të jetë një kontribues i rëndë për sigurinë tonë”.
Andaj shtuan ata: “Një rrugë e qartë për anëtarësimin e Ukrainës duhet të jetë një prioritet për Samitin e 75-vjetorit të aleancës në Uashington këtë verë”.
Ndërhyrja e ambasadorëve vjen në një kohë të shqetësimit në rritje për aftësinë e Ukrainës për të vazhduar t’i rezistojë Rusisë dhe pasigurisë për të ardhmen e NATO-s. /Telegrafi/