Në kulmin e fushatës kemi diskutuar me Arben Taravarin për gjëra jo aq politike… për familjen, gëzimet, hidhërimet dhe arritjet. Taravari tregon për Telegrafi Maqedoni se kur do të dorëhiqet nga politika dhe kush e fiton garën me Bujar Osmanin.
Cili do të jetë rezultati i zgjedhjeve presidenciale, mes jush dhe kundërkandidatit Osmani?
Kjo pyetje është me kontekst të lartë subjektiv sepse unë jam pjesë e garës, por duke u përpjekur të jem sa më objektiv besoj se do ta fitoj dukshëm z.Osmanin.
Po tek pala maqedone, mes kandidatëve Pendarovskit dhe Gordana Siljanovska?
Do të jem politikisht korrekt dhe do të them se është në vullnetin e votuesit maqedonas i cili ka ditur gjithnjë të ndajë votën presidenciale nga ajo parlamentare.
Për karrierën tuaj, sa është e rëndësishme fitorja?
Për karrierën time nuk ka asnjë rëndësi. Madje është hera e parë që ju me pyetjen tuaj më çoni ta mendoj dhe në këtë kontekst.
Aksionet politike aktuale janë misione historike dhe jo qëllime profesionale.
Kur jemi te karriera juaj, kur mendoni se do të largoheni nga politika?
Pavarsisht se presidenti Biden ka vendosur standarte të reja të moshës në poste dhe vendimarrje, unë jam një neurolog i dashuruar me profesionin tim dhe në momentin e parë që ndryshimi i sistemit vendoset në binarë, do të tërhiqem nga politika aktive për t’u kthyer në profesionin tim të mjekut.
Na tregoni momentin më të mirë në jetën personale dhe profesionale?
Kur më lindën fëmijët, kurse profesionalisht, duke qënë mjek kam shumë…sa herë që kam shpëtuar jetën e dikujt.
Po momenti më i keq?
Ndarja e babës nga jeta.
Nëse do të shkruanit një libër për karrierën tuaj politike, si do ta titullonit?
Nëse do, mundesh!
Nëse do të kishe mundësi të takoje Arbenin e para 20 viteve, si do të ja përshkruanit me një fjali këtë rrugëtim deri tani?
Sfidë e gjatë, por, ja vlejti!
Nëse do të ishte dhënë mundësia të jeni kryeministër në Maqedoni në qeverinë e ardhshme, cilat do të ishin tre gjërat që do t’i ndryshonit në 100 ditët e para?
Librat e shkollës, favorizimin e biznesit, rritjen e pagave
Me LSDM apo me OBRM-PDUKM-në në qeverinë e ardhshme? Cilën do ta preferonit si partner koalicioni?
Shteti i mirë nuk është çështje preferencash, është çështje objektive, ndaj do të bashkëpunoja me ata që e duan të mirën e këtij vendi.
*Telegrafi Maqedoni gjatë fushatës do të vazhdojë të realizojë intervista me kandidatët për presidentë dhe politikanë tjerë në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale dhe kuvendare. /Telegrafi/