Juventusi është duke refuzuar ta rritë ofertën për kontratën e re të Paulo Dybalas – njofton Football Italia. Në këtë mënyrë, gjasat për t’u larguar gjatë verës janë më të mëdha.
Sulmuesi argjentinas ka kontratë me Bianconerët deri në verën e vitit 2022, prandaj në rast të mosrinovimit, shitja është shumë e mundshme për të mos e lejuar largimin me parametrat zero.
Burimet e Football Italia thonë se oferta e vitit të kaluar (10 milionë euro për sezon plus bonuset e lidhura me performancën) mbetet e pandryshueshme.
Dybala dhe agjenti i tij e kishin refuzuar në fillim të këtij sezoni, mirëpo Juve planifikon t’ia ofrojë lojtarit të vetmen zgjidhje – ta pranojë ose të largohet.
Në ndërkohë, zëvendëspresidenti i klubit, Pavel Nedved, në një prononcim për DAZN ka deklaruar se e ardhmja e 27-vjeçarit do të shqyrtohet në tregun e transferimeve. /Telegrafi/