Telegrafi

Mermeri i Kosovës dominon panairin e Verona-s

Kompania Fox Marble, prezantoi denjësisht mermerin e Kosovës, në një stendë gjigante në një prej panaireve më të mëdha në botë që mbahen për mermerin në të gjithë botën.

Njëri prej pronarëve të kompanisë Fox Marble, Etrur Albani, tha se pjesëmarrja e kompanisë Fox Marble, e vetmja kompani nga Kosova e listuar në bursën e Londrës, do të thotë zhvillim jo vetëm të kompanisë që ai drejton, por të gjithë industrisë së mermerit në Kosovë.

“Për herë të parë morëm pjesë në panairin e Verona-s, që është më i madhi në botë në këtë sektorë. Është ndjenjë e mrekullueshme prezantimi në këtë nivel i mermerit nga Kosova dhe i kompanisë tonë”, tha Etrur Albani.

Industria e mermerit në Kosovë, ka marrë zhvillim pas marrjes së licensave nga ana e kompanisë Fox Marble, e cila është shoqëri aksionare me pronarë nga Anglia dhe Kosova.

Deri më tani ka investuar disa miliona euro në fabrikën për përpunimin e mermerit, që është duke u ndërtuar në komunën e Lipjani, ndërsa ka aktivizuar disa pika të nxjerrjes së gurit të mermerit në vende të ndryshme të Kosovës.

Kompani Fox Marble, para dy javësh u përzgjodh si njëra prej kompanive më të mira, me qarkullim deri në një milion euro, për pagesën e tatimeve dhe kontributeve tjera, punëtorëve…

Llojet e mermerit që ajo nxjerr nga toka e Kosovës, që sipas ekspertëve llogaritet si mjaft cilësor dhe i konkurueshëm me mermerët që nxirren në pjesët e tjera të botës, janë emërtuar me emra shumë të veçantë dhe të lidhura me antikitetin dhe autenticitetin e kombit shqiptarë.

Mermeri po prezantohet me emra të vjetër dhe si i tillë do të bëhet i njohur në botë si `guri i mermerit Ilirikum, Liburn, mermeri Etrusk etj etj. /rtk/