Pas kritikave të ashpra që shkaktoi në Gjermani vendimi për mbyllje totale gjatë ditëve të pashkëve, kancelarja Merkel e tërhoqi atë.
Ishte qëllim i mirë, por nuk u mendua mirë, tha ajo dhe u kërkoi gjermanëve të falur.
“Gabimi është vetëm e tërësisht gabimi im”, tha Merkel dhe u kërkoi gjermanëve të falur. Ky vendim solli shumë pasiguri të tjera, tha Merkel.
Qëllimi ishte i mirë, tha ajo, por nuk u mendua mirë, sepse mbetën ende shumë pyetje të hapura. Merkel tha, se po bëjmë gjithçka që sistemi ynë shëndetësor të përballojë rëndesën e madhe për shkak të pandemisë.
Merkel të mërkurën del para Bundestagut për t’i përgjigjur pyetjeve të deputetëve për vendimet e fundit kundër pandemisë, raporton deutschewelle.
Në fillim të javës në takimin e kryeministrave të landeve me kancelaren Merkel u vendos që për shkak të tendencës së rritjes së madhe të infektimeve, lehtësimet e bëra në dy javët e fundit të tërhiqen. Përveç kësaj gjatë ditëve të pashkëve u vendos e ashtuquajtura “qetësia e pashkëve”, një lloj superlockdowni. Nga e enjtja e ardhshme (01.04) deri të hënën e pashkëve (05.04) do të mbyllej jeta publike, vetëm të shtunën e ardhshme do të hapeshin për pak orë supermarketet.
Puna që investohet për këtë dhe ajo që përfitohet nuk janë në proporcion, tha ajo. Kryeministrat e landeve, sipas deklarimeve, shprehën respekt për kancelaren dhe theksuan përgjegjësinë e përbashkët. /Telegrafi/