Mesfushori sulmues i CFR Cluj, Meriton Korenica, po kalon një sezon fantastik në elitën e futbollit rumun, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës që po lufton për titull.
Me 6 gola dhe 4 asistime vetëm në kampionat, 25-vjeçari nga Kosova ka treguar vazhdimësi në paraqitjet e tij, duke qenë vendimtar për ekipin. Në total edhe me garat ndërkombëtare dhe Kupën e Rumanisë, Korenica ka 9 gola me fanellën e Cluj.
Madje në ndeshjen e fundit, ku CRF Cluj fitoi 2-0 ndaj Petrolul, ai shënoi golin që hapi sfidën, duke e mbajtur ekipin e tij në luftën me kreun.
Në një prononcim për Telegrafin, Korenica tregoi se është ambientuar shpejt në Rumani dhe se forma e tij është në rritje të vazhdueshme.
“Që nga momenti që jam transferuar këtu, jam ambientuar shumë shpejt dhe gjithçka ka shkuar shumë mirë. Po mundohem të jap më të mirën në çdo ndeshje dhe forma ime ka qenë e mirë që nga fillimi”,ka thënë fillimisht Korenica për Telegrafin.
Një tjetër avantazh i Korenicës është fleksibiliteti në fushë, pasi trajneri i Cluj-it e ka përdorur si në mesfushë, ashtu edhe në sulm.
“Kjo është zgjedhja e trajnerit dhe unë mundohem ta kthej besimin në mënyrën më të mirë duke ndihmuar ekipin”, theksoi ai.
Së fundmi, te CFR Cluj është bashkuar edhe Lindon Emerllahu, një tjetër mesfushor kosovar me potencial të madh. Korenica e sheh këtë si një përforcim të rëndësishëm për ekipin dhe beson se Emerllahu do të tregojë vlerat e tij.
“Më vjen shumë mirë që ai është bashkuar dhe besoj se do të jetë një ndihmë e madhe për mua dhe për gjithë ekipin, pasi dihen cilësitë e Lindonit. Shpresoj që të tregojë më të mirën këtu,” u shpreh Korenica.
Forma e tij e jashtëzakonshme ka ngritur një pyetje të rëndësishme: A do ta ftojë Franco Foda për ndeshjet e marsit?
Kosova luan ndaj Islandës në kuadër të Ligës së Kombeve dhe duke parë mungesën e alternativave në mesfushën sulmuese, Korenica mund të ishte një shtesë e vlefshme për ekipin. Vetë lojtari e ka bërë të qartë se është gati për ftesën e Kosovës.
“Janë zgjedhje të përzgjedhësit, por unë do të jem gjithmonë i gatshëm të përfaqësoj shtetin tim në mënyrën më të mirë të mundshme,” u shpreh ai.
Me rendimentin e tij të lartë dhe kontributin e drejtpërdrejtë në suksesin e CFR Cluj, Korenica është padyshim një emër që duhet të jetë në listën e Fodës për ndeshjet e radhës.
Tani mbetet për t’u parë nëse Franco Foda do ta shpërblejë me një ftesë të merituar. /Telegrafi/