Telegrafi

Mërgim Berisha drejt rikthimit në Gjermani, Mainz kontakton Fenerbahcen për sulmuesin nga Kosova

Mërgim Berisha pritet të largohet nga Fenerbahce pas vetëm një viti qëndrim në Stamboll.

Sulmuesi me prejardhje nga Kosova është shumë afër të rikthehet në futbollin gjerman.

Është gazeta gjermane ‘Sport Blid’ ajo që ka raportuar se ka bisedime mes drejtuesve të Mainz dhe atyre të Fenerbahces për sulmuesin kosovar.

24-vjeçari në vitin e tij të parë me Fenerbahcen zhvilloi 31 ndeshje zyrtare ku realizoi shtatë gola e dhuroi tre asistime.

Në fazën përgatitore me Fenerin, Berisha ka qenë fantastik duke shënuar dy gola dhe duke bindur trajnerin Jorge Jesus për t’i dhënë hapësira më të mëdha sezonin e ri.

Megjithatë kosovari nuk është i pashitshëm pasi Fenerbahce mund ta lejoj largimin e tij nëse vije një ofertë mbi gjashtë milionë euro nga Mainz.

Vetëm një vit më parë gjiganti turk pagoi pesë milionë euro për transferimin e sulmuesit shtatlartë nga Red Bull Salzburg. Gjatë kësaj jave pritet të kenë biseda të reja drejtuesit e dy klubeve dhe Berisha është i destinuar për tu rikthyer në futbollin gjerman.

Berisha ka lindur në qytetin gjerman Berchtesgaden, derisa karrierën e ka nisur në akademinë e RB Salzburg, derisa si i huazuar ka luajtur edhe për skuadrat tjera si FC Liefering, Lask Linz, FC Magdeburg (Bundesliga 2) dhe SCR Altach. /Telegrafi/