Telegrafi

Mercedesi shpalos zyrtarisht S-Class Cabrio (Foto/Video)

Modeli S-Class Cabrio premierën botërore e ka mbajtur vitin e kaluar në panairin e veturave në Gjenevë, por kompania Mercedes që atëherë ka paralajmëruar edhe versione të reja.

Vitin e kaluar janë shfaqur modelet sportive si S63 AMG Coupe dhe S65 AMG Coupe, ndërsa së shpejti do të vijë edhe S-Class Cabrio, i njohur me etiketën koduese të fabrikës A217, transmeton Koha.net.

Në internet më parë kanë rrjedhur fotografi dhe video të shumta të këtij modeli, i maskuar dhe për testim, ndërsa menaxheri projektit të Mercedes S-Class, Martin Hulder, zyrtarisht ka konfirmuar se kjo veturë e konvertueshme klasike dhe luksoze dhe me çati të butë, premierën botërore do ta mbajë gjatë vitit 2015.

Gjithsesi se kompania gjermane e njohur Mercedes do ta shfrytëzojë panairin e ardhshëm të veturave, i cili do të mbahet në Frankfurt, për të prezantuar zyrtarisht këtë automobil të cilin ndryshe e quajnë si “veturë e konvertueshme më luksoze në botë”.

S-Class Cabrio është me gjatësi të njëjtë sikurse S Coupe, 5 metra, i gjerë 1.9 metra, i lartë 1.4 metra, koeficienti i rezistencës së ajrit është 0.29, ndërsa çatia hapet/mbyllet përafërsisht për 20 sekonda.

Sa i përket gamës së motorëve, në fillim do të jetë në dispozicion motori 4.7-litra V8 Twin-Turbo me kapacitet 455 kuajfuqi për versionin S500 Cabrio, si dhe motori 5.5-litra V8 Twin-Turbo me kapacitet 585 kuajfuqi për S63 AMG Cabrio, transmeton Koha.net. Ndërkaq, sa i përket marsheve, përmendet marshi automatik 9G-Tronic me nëntë shpejtësi për versionin S500 Cabrio dhe marshi AMG Speedshift me shtatë shpejtësi për S63 AMG Cabrio.

S-Class Cabrio, standard, do të ketë sistemin e tërheqjes me rrotat e prapme, përmes opsionit 4Matic (sistemi i tërheqjes në të gjitha rrotat).

Gjithashtu thuhet se S-Class Cabrio, ndër të tjera, do të ketë edhe sistemin Magic Ride, ekranin e ri Head-up, dritat e përparme adaptive, sistemin gjysmë-autonom Distronic Plus me asistencë në drejtim, vizion të natës infra të kuqe etj.

Sipas medieve gjermane, versioni S500 Cabrio në Gjermani do të kushtojë 122.154 euro, ndërsa S63 AMG Cabrio 171.360 euro.

Sa i përket enterierit, ky model do të ketë enterier luksoz, duke përfshirë lëkurën premium, disa elemente nga druri dhe nga metali, ulëset me nxehje, mbështetësi i krahut (afër marshit) me nxehje, përcjell Koha.net, sistemin automatik “inteligjent” për kontrollimin e klimës, si dhe sistemin Airscarf dhe Aircap.

Mercedes planifikon që të pranojë porositë për S-Class Cabrion në muajin dhjetor, ndërsa dërgesat e para i ka planifikuar që t’i bëjë në pranverë të vitit 2016.