Nga një yll i serialit real televiziv, përmes reklamimit e drejt industrisë kozmetike, pjesëtarja më e re e klanit Kardashian/Jenner, Kylie Jenner, hyri në listën e miliarderëve të revistës prestigjioze, Forbes.
Ajo e ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë famën e familjes së saj për nisjen dhe zhvillimin e biznesit, dhe në këtë mënyrë u bë miliarderja më e re e vetbërë.
22-vjeçarja arriti në qendër të vëmendjes së opinionit publik kur familja e saj e nisi programin real televiziv, “Keeping Up with the Kardashians”, në vitin 2007 dhe deri më tani ka krijuar një sërë brendesh, nga të cilët më i suksesshmi është ai i kozmetikës që edhe ia mundësoi të bëhej miliardere.
Kylie kaloi shifrën prej një miliard dollarësh pasuri kur ishte 21 vjeçare (në vitin 2019). Në këtë mënyrë, ajo u bë miliarderja më e re në histori dhe miliarderja më e re e vetbërë ndonjëherë. Asokohe Jenner ia rrëmbeu titullin bashkëthemeluesit të Facebookut, Mark Zuckerberg, i cili u bë miliarder në vitin 2008 si 23 vjeçar, ndërsa bashkëthemeluesi i Microsoftit, Bill Gates, ishte bërë miliarder si 31 vjeçar në vitin 1987.
Ka të tillë që e konsiderojnë të pavërtetë pohimin se Jenner është një miliardere e vetbërë, duke qenë se ajo është pjesë e një familjeje të pasur dhe të famshme. Megjithatë, ajo është pjesëtarja më e pasur në klanin Kardashian/Jenner, ndërkohë që motra e saj Kim ka një pasuri në vlerë prej 350 milionë dollarësh.
Mbretëria kozmetike e saj, kompania e makijazhit Kylie Cosmetics, ka grumbulluar miliona dollarë nga viti 2015, ndërsa në vitin 2019, Forbes e ka vlerësuar atë në 900 milionë dollarë. Pas nënshkrimit të marrëveshjes shpërndarëse me Ulta Beauty (verën e vitit 2018), shitjet u rritën jashtëzakonisht shumë, saqë gjashtë javë pas marrëveshjes, kishte përfituar 54.5 milionë euro. Ndërkaq, pritet që deri në vitin 2022, vetëm kompania Kylie Cosmetics të kalojë vlerën e shitjeve prej një miliard dollarësh.
Madje me brendin e saj kozmetik, Kylie shkaktoi avari në internet duke shkaktuar rënien e faqes për shkak të kërkesave të mëdha. Ndërsa për t’i plotësuar kërkesat e blerësve, produktet e Kylie Cosmetics filluan të prodhoheshin edhe nga gjiganti Seed Beauty, e cila është e angazhuar edhe për produktet e linjës së makijazhit, KKW Beauty, të motrës së saj, Kim Kardashian.
Kompania e Jenner fillimisht kishte ofruar produkte për buzë, ndërsa pastaj u zgjerua me produktet për sy, fytyrë dhe vetulla. Në maj të vitit të kaluar, Kylie e nisi edhe një brend, Kylie Skin, vlera e të cilit po shkon në ngritje të vazhdueshme.
Njëherësh, nga viti 2016, bukuroshja dhe motra e saj modele, Kendall Jenner, kanë linjën e modës “Kendall + Kylie”, e cila është shumë e suksesshme në Amerikë.
Veç përfitimeve nga kompanitë e ndryshme, ajo përfiton shumë edhe nga rrjetet sociale, si personazh me ndikim. Sidomos në Instagram, ku numëron mbi 162 milionë ndjekës, ajo përfiton 1.27 milion dollarë për një postim reklamues.
Kylie fiton para edhe nga aplikacioni “Kylie Jenner Official App”, shitjet nga “The Kylie Shop”, programet televizive “Keeping Up With the Kardashians” dhe “Life of Kylie”, si edhe partneritete tjera me brendet, si Adidas, Topshop e Quay Australia.
Deri në nëntor të vitit 2019, ajo ishte drejtoreshë e përgjithshme, menaxhere e marketingut dhe menaxhere kreative duke pronësuar 100 për qind të Kylie Cosmetics, derisa nëna e saj, Kris Jenner, ishte drejtoresha e financave. Por, më 18 nëntor të vitit të kaluar, Coty, Inc. bleu 51 për qind të aksioneve të kompanisë për 600 milionë dollarë. /Telegrafi/