Vedat Muriqi është njëri nga futbollistët më të mirë në elitën e futbollit turk këtë edicion.
Sulmuesi nga Kosova ka zgjuar interesimin e shumë skuadrave të njohura, ndër tyre edhe të Fenerbahces.
Shumë skuadra kanë zgjuar interesim për shtatgjatin prizrenas dhe për këtë ka folur edhe menaxheri i lojtarit, Haluk Canatar.
“Fenerbahçe më ka pyetur për kushtet personale. Por po e përsëris se nuk ka pasur ndonjë ofertë prej tyre. Në rast se ndodh, i pari që do të kuptojë është klubi Rizespor”.
“Po, Rizespor ka marrë një ofertë konkrete nga Toulouse. Drejtori sportiv i klubit francez, Ali Rachedi ishte në ndeshjet e Rizesporit kundër Besiktasit dhe Basaksehirit”.
“Ai u nda i kënaqur me paraqitjet e sulmuesit. Tashmë mbetet në ditët në vijim të shihet se si do të zhvillohen bisedimet mes klubit të klientit tim dhe Toulouset”, tha ai.
Ndryshe, 25-vjeçari deri më tani këtë sezon ka shënuar 14 gola dhe ka pasur shtatë asistime në të gjitha garat. /Telegrafi/