Telegrafi

Memphis barazon serinë me Spurs, GSW me fitoren e tretë ndaj Portlandit (Video)

San Antonio Spurs ka pësuar humbje pas vazhdimeve ndaj Memphis Grizzlies me rezultat 110-108, kurse Golden State Warriors arriti të tejkalojë Portland Trailblazers në udhëtim me rezultat 119-113.

Ndeshje tej mase dramatike u zhvillua në Fedex Arena në Memphis, ku Grizzlies arritën të mposhtin Spurs pas vazhdimeve.

Me pak sekonda të mbetur ishte Leonard ai që barazoi me tri pikë dhe kur të gjithë menduan se ndeshja do të shkojë sërish në vazhdime, ishte Marc Gasol ai që me 0.7 sekonda të mbetur arriti të fuste topin në kosh për të siguruar fitoren e madhe për ekipin e tij .

U dallua Mike Conley me 35 pikë, 9 kërcime dhe 8 asistime i ndihmuar nga Marc Gasol me 16 pikë dhe 12 kërcime, kurse te Spurs i vetmi që luajtij ishte Leonard me 43 pikë, 8 kërcime, 3 asistime dhe 6 topa të vjedhur, kurse u ndihmua nga Tony Parker me 22 pikë.

Tash Memphis ka barazuar serinë në 2-2 dhe ndeshja e pestë zhvillohet në AT&T Center të San Antonios aty ku mund të definohen shumë gjëra.

Golden State do të ketë punë më të lehtë tash e tutje pasi e çoi serinë në 3-0 edhe pa performancën e Durant.

Shkëlqeu Stephen Curry i cili realizoi 34 pikë në këtë takim, pasuar nga Thompson me 24 pikë, kurse te Portland të pandalshëm ishin McCollum me 32 pikë dhe Lillard me 31 pikë.

Golden State tashmë është afër rrethit të dytë dhe ka nevojë vetëm edhe për një fitore në ndeshjen e ardhshme që zhvillohet sërish në Portland. /Telegrafi/