Site icon Telegrafi

Melania Trump nuk shfaq asnjë interes për atdheun e saj, Slloveninë – dhe për këtë jam mirënjohëse

Mjalti “Sevnica” me portretin e Melania Trumpit në një qendër informacioni në Sevnicë të Sllovenisë (foto: Jack Taylor/Getty Images, viti 2016)

Nga: Ana Schnabl, shkrimtare dhe kritike sllovene
Përkthimi: Telegrafi.com

Sllovenia është një vend i vogël, jo vetëm për nga madhësia fizike apo sepse ka një popullsi prej 2.1 milionë banorësh. Ajo nuk ka ndonjë status të vërtetë gjeopolitik: nuk formëson politikën e jashtme apo ekonominë e kombeve të tjera, por ndikohet prej tyre. Për këtë arsye, ekziston një bindje e përhapur në Slloveni se duhet të fokusohemi në fuqinë tonë të butë. Sipas kësaj pikëpamjeje, sllovenët e jashtëzakonshëm do ta nxjerrin vendin nga anonimiteti, duke e vendosur atë në hartë ose duke siguruar njohje përmes meritave të tyre.

Kjo është arsyeja pse arritjet e basketbollistëve Goran Dragić dhe Luka Dončić, fitoret e çiklistit profesionist Tadej Pogačar në Tour de France, dy medaljet e arta olimpike të Janja Garnbretit, nami i grupit Laibach dhe rolet filmike të Katarina Časit vlerësohen si mundësi kombëtare.

Lexo po ashtu nga Ana Schnabl: Dikur të këqijtë e Holivudit ishin rusë ose kinezë, tani jemi ne – njerëzit nga Ballkani

Por, asnjë nga këto figura të lindur në Slloveni, sado mbresëlënës qofshin, nuk gjeneron aq shumë eksitim sa ish-Melanija Knavs, tani Melania Trump. Kur kthimi i Donald Trumpit në pushtet e bëri Melanian të jetë përsëri Zonja e Parë, reagimi mediatik në Slloveni ishte i parashikueshëm: mediat shtetërore kryesisht minimizuan lidhjen, ndërsa mediat komerciale nuk humbën kohë për ta promovuar atë si një mundësi.

Rrjeti më i madh komercial televiziv i Sllovenisë, Pop TV (nomen est omen), transmetoi një intervistë me Ivo Boscarolin, një biznesmen i pasur slloven që mori pjesë në manifestimet e inaugurimit në Uashington. Argumenti i tij? Qeveria sllovene kishte humbur një mundësi të artë për të shfrytëzuar praninë e Melanias në Shtëpinë e Bardhë dhe për të përmirësuar marrëdhëniet e saj me ShBA-në.

Tani, sado që nuk kam vëmendje ndaj Pop TV-së, unë e marr seriozisht ndikimin e tij. Është kanali më i ndjekur në Slloveni, që do të thotë se shumë sllovenë ka të ngjarë të pranojnë dhe të internalizojnë këtë narrativë. Disa komentatorë mediatikë madje kanë sugjeruar që Melania mund të jetë “bileta e artë” në rast se “gjithçka shkon keq”. Pyes veten nëse refuzimi i Trumpit për aleancën transatlantike në favor të Vladimir Putinit dhe kërcënimi i tij për të nisur një luftë tregtare me BE-në do të thotë se kjo ka ndodhur tashmë.

Megjithatë, problemi me këtë mënyrë të të menduarit është se nuk bazohet në asnjë realitet. Nuk ka absolutisht asgjë në kujtimet e Melanias që të tregojë se ajo ka ndonjë interes për të forcuar një marrëdhënie politike apo ekonomike midis vendit të saj adoptues dhe Sllovenisë. Përkundrazi, në rastet e pakta kur e përmendi Slloveninë, gjatë mandatit të saj të parë si Zonja e Parë, zakonisht i referohej të kaluarës së saj “totalitare”, ndoshta duke luajtur me frikën dhe neverinë amerikane ndaj komunizmit dhe socializmit.

Melania u rrit në qytetin e vogël Sevnica dhe u largua për të ndjekur një karrierë si manekine përpara se Sllovenia të fitonte pavarësinë nga Jugosllavia në vitin 1991. Ajo zakonisht ka qëndruar e heshtur për prejardhjen e saj sllovene, edhe pse pjesa më e madhe e familjes së saj ende jeton këtu, dhe thuhet se flet sllovenisht me të birin. Në fjalimet e saj, ajo e ka paraqitur vazhdimisht ShBA-në si vendin ideal, si vendin ku duhet të jesh, ndërsa Sllovenia është, pra, një vend për t’u harruar. Ndoshta kjo është arsyeja pse ajo nuk e ka parë të arsyeshme të vizitojë Slloveninë gjatë mandatit të saj si Zonjë e Parë.

Por, le ta marrim për pak çaste parasysh këtë skenar hipotetik. Po sikur pozita e Melanias të përfaqësonte vërtet një mundësi unike për Slloveninë? Është e vështirë të imagjinohet, duke pasur parasysh se dihet shumë pak për pikëpamjet e saj personale politike – përveç faktit që ajo kundërshtoi qëndrimin e burrit të saj mbi abortin – një divergjencë e rrallë. Megjithatë, flet shumë vendimi i saj për t’u martuar me një figurë problematike publike dhe më pas për të qëndruar e martuar me një lider që shfaq prirje autoritare. Në këtë zgjedhje ka njëfarë bashkëfajësie: një miratim i heshtur ndaj idesë së Trumpit se poshtërimi i Volodymyr Zelenskyyt ose detyrimi i Ukrainës për t’iu nënshtruar kërkesave të Rusisë është baza e paqes; miratim ndaj riemërimit së Gjirit të Meksikës si Gjiri i Amerikës; ndaj planit të tij për të rindërtuar Gazën, por ndoshta jo për palestinezët; ndaj mbështetjes së tij për esencializmin gjinor; ndaj demoniziminit të emigrantëve; ndaj mohimit të ndryshimeve klimatike; dhe madje, në mënyrë ironike, ndaj ndalimit të abortit.

Pra, Melania mund të bëhet mundësia më e madhe e Sllovenisë për të krijuar një marrëdhënie të veçantë me një regjim fashist në formim. A është kjo mundësia që dëshiron Sllovenia? Nuk jam naive – ideologjitë e djathta kanë përkrahës në Slloveni dhe ata padyshim e admirojnë Trumpin. Por, për çudi, mua më frikësojnë më shumë politikanët neoliberalë në pushtet dhe elitat e biznesit të vendit tonë, të cilët çdo lidhje – pavarësisht sa toksike – e shohin si një fitore të mundshme. Do të doja vërtet të dija nëse rrezikojmë që marrëdhëniet midis Sllovenisë dhe ShBA-së – siç dëshiroi kryeministri ynë plot shpresë në X pas inaugurimit të Trumpit – “të forcohen më tej”.

Për momentin, Sllovenia është me fat që Melania ende nuk ka treguar ndonjë interes të vërtetë për të përdorur pozicionin e saj për të forcuar lidhjet me vendin e saj të lindjes. Nuk ka asnjë manovër diplomatike për t’u ndërmarrë, asnjë lëvizje e madhe strategjike për ta pasur parasysh. Çdo vlerësim i Melanias në Shtëpinë e Bardhë do të kalojë, nëse nuk ka kaluar tashmë, dhe me të – për fat të mirë – edhe shpresa e përkohshme e Sllovenisë për ta shfrytëzuar atë për përfitime politike. Ndoshta ylli ynë i ardhshëm global do të ofrojë një mundësi më konstruktive. Deri atëherë, Sllovenia mund të përfitojë më shumë duke u fokusuar në ndërtimin e marrëdhënieve të bazuara në vlera të përbashkëta dhe interesa afatgjata – në vend që të mbështetet në tekat e individëve problematikë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version