Telegrafi

Mehmeti: Norma e interesit për kredi ka rënë në 6% (Video)

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovë (BQK), Fehmi Mehmeti, në një intervistë për emisionin “EKONOMI” në Telegrafi.com ka treguar se sistemi financiar në vend po karakterizohet me zhvillime pozitive, sipas tij, norma e interesit për kredi ka rënë në 6 për qind.

Mehmeti thotë vlera e përgjithshme e mjeteve të këtij sistemi ka shënuar rritje vjetore prej 7 për qind.

“Sistemi financiar në përgjithësi karakterizohet mirë dhe me zhvillime shumë pozitive në të gjitha aspektet. Vlera e aseteve të sektorit financiar vlerësohet të jetë 6.32 miliardë euro me një rritje vjetore prej 7 për qind. Nëse e shohim sektorin bankar si komponentë kryesore të këtij sektori, po ashtu karakterizohet me zhvillime pozitive, si rritje e kreditimit, rritje të depozitave, ulja e kredive joperformuese, ulje të normës së interesit në kredi, e kështu me radhë”, tha Mehmeti.

Ai tregon se mbi 70 për qind të kredive i dedikohen bizneseve.

“Për sa i përket rritjes së kredive, vlerësohet se ka arritur në 2.77 miliardë euro me një rritje vjetore prej 11.4 për qind. Sa i përket depozitave kemi rritje prej 9 për qind, kjo rritje mundëson që të kemi aktivitet dhe bankat kanë ende kapital të mjaftueshëm për të zgjeruar aktivitetin e kreditimit. Mbi 70 për qind të kredive i dedikohen bizneseve dhe kjo tregon mbështetjen që sektori bankar është duke dhënë për zhvillimin ekonomik. Norma efektive e interesit në kredi ka rënë në 6 për qind, kjo ka bërë që të lehtësohet qasja në financa dhe të rritet shkalla e investimit financiar”, ka treguar ai.

Lexo po ashtu Mehmeti: Plaçkitja e bankave nuk kërcënon stabilitetin bankar dhe depozitat (Video)

I pari i BQK-së, në këtë intervistë ka treguar edhe për arsyet që kanë ndikuar në uljen e normës së interesit për kredi.

“Janë tre faktorë që kanë ndikuar në uljen e normës së interesit në kredi. Në vend të parë, bankat ka përmirësuar dhe lehtësuar ofertat, në rend të dytë janë mbikëqyrja e përafërt e bankave nga afër dhe stabiliteti ekonomik në vend. Gjithashtu një faktor është aktivizimi i përmbaruesve privat që ka dhënë një rrol për shpejtimin e zgjidhjeve të rasteve të kredive që kanë ndikuar në uljen e kredive të këqija. Kreditë e këqija shënojnë 2.6 për qind që janë më të ulëta në rajon”, ka thënë guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti. /Telegrafi/