Telegrafi

Megjithatë, kryeministri malazez refuzon ta takojë kryetarin e Tuzit, Gjeloshaj: Kjo është sjellje e papërgjegjshme, hotelerinë nuk do ta mbyllim

Nik Gjeloshaj, kryetari i Tuzit, ka pohuar se kryeministri malazez nuk do ta vizitojë qytetin shqiptar.

Megjithëse ishte paralajmëruar se Zdravko Krivokapiq do ta vizitojë gjatë ditës së sotme Tuzin, një gjë e tillë nuk do të ndodh, raporton vijesti.

“Shumica prej jush ishin të pranishëm kur më thirri Krivokapiq dhe të gjithë e regjistruat bisedën teksa shprehi dëshirë që të zgjidh diskriminimin përmes dialogut. Ai thjesht nuk më dha ndonjë arsye. Kjo është sjellje e papërgjegjshme. Ne do të jemi më të përgjegjshëm se ai, ne respektojmë ligjin për vetëqeverisjen lokale. Kryeministri duhet të mbajë fjalën e tij”, tha Gjeloshaj, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Pas ngjarjeve në Tuz, reagon qeveria malazeze: Jemi të gatshëm të takohemi me Gjeloshajn

Ai shtoi se hapat e tyre të ardhshëm janë respekti dhe puna për të luftuar epideminë. “U bëj ftesë të përbashkët kryeministrit dhe zëvendës kryeministrit, le të vijnë për dialog”, tha i pari i qytetit.

Kryebashkiaku shpjegoi se baret do të funksionojnë “Ne respektojmë ligjin, komuna është e vetmja përgjegjëse për funksionimin e objekteve hotelierike”. Ai shtoi se asnjë përfaqësues i qeverisë nuk do të vinte në Tuz.

Lexo po ashtu Deputetët shqiptarë të Malit të Zi rreth situatës në Tuz: Qeveria duhet të bëjë hapa prapa rreth masave epidemiologjike

Kujtojmë se policia malazeze ka ndërhyrë në qytetin shqiptar të Tuzit për të shpërndarë qytetarët që kanë bllokuar rrugët nacionale. E gjithë kjo ka ndodhur pasi që komuna ka vendosur që mos t’i respektojë masat e caktuara të qeverisë për përhapjen e coronavirusit duke lejuar të punojnë sektori i gastronomisë.

Ndryshe, policia është duke e pritur urdhër-arrestin në gjuhën shqipe për ta arrestuar Gjeloshajn, i cili ka marrë mbështetje nga deputetët shqiptarë të Malit të Zi. /Telegrafi/